Kulturë

“Arratisja ime në liri” nga intelektuali i burgosur

Prezantimi i çdo libri të një autori të huaj i përkthyer në gjuhën shqipe paraqet moment të veçantë për opinionin lexues. Nuk ka dilemë së sfidat e para në këtë aspekt i ka përjetuar përkthyesi i librit, sepse është dashur angazhim serioz për të arritur qëllimin e dëshiruar, sepse kemi të bëjmë me një libër të veçantë për nga qasja dhe përmbajtja. Fjala është për librin e Alija Izetbegoviqit, “Arratisja ime në liri” (Shënime nga burgu), përkthyer nga Ismail Dizdari.

Ngjarjet e trajtuara në këtë botim kanë të bëjnë me një kohë të kufizuar, përkatësisht me kohën kur autori i librit ka qenë i burgosur politik. Kemi të bëjmë me vitet e fundit të ekzistimit të sistemit socialist në shtetin e ish-Jugosllavisë (1983-1989). Në këtë kohë, sipas të dhënave të verifikuara në ish-Jugosllavi pas vitit 1981, në kategorinë e të burgosurve politikë në vendin e parë ishin shqiptarët, ndonëse ka pasur edhe nga popujt e tjerë, ku si rast tipik është Alija Izetbegoviqi, shkrimtari, teologu, intelektuali dhe veprimtari i njohur i çështjes kombëtare boshnjake.

Rilindja e vetëdijes kombëtare boshnjake

Libri është konceptuar në gjashtë pjesë duke prezantuar meditime dhe analiza që janë shënime nga burgu, me qasje shumëdimensionale shoqërore dhe shkencore. Të gjithë ata të cilët do ta lexojnë këtë botim, do të befasohen me erudicionin e autorit, i cili ka lexuar libra,

gazeta e revista të ndryshme nga gama e gjerë botimesh si rrallëkush në kohën e tij. Autori nuk qëndron statik po ofron analiza edhe komente për çështjet e lexuara dhe të prezantuara, duke dhënë vlerësime të qëndrueshme për kohën dhe në të ardhmen. Pra, kemi të bëjmë me një person vizionar, ku shumëçka ai arriti t’i përjetonte personalisht, sikurse ishte shembja e sistemit socialist, përkatësisht falimentimi i ideologjisë komuniste. Dhe nga një pasojë e tillë ndodhi dezintegrimi gjegjësisht shkatërrimi i ish-Jugosllavisë, si shtet heterogjen më përbërje kombëtare, në saje të luftërave pushtuese nga politika neofashiste serbe.

Kujtojmë luftërat në Kroaci e Bosnjë Hercegovinë (1992-1995), ku edhe autori i librit ka qenë pjesëmarrës aktiv si në raportet luftarake, por edhe ato politike. Me këtë rast e them pa hezitim se Alija Izetbegoviqi ka meritë të jashtëzakonshme në rilindjen e vetëdijes kombëtare të popullit boshnjak që në të kaluarën i ishte mohuar identiteti kombëtar, por duke iu pranuar ai fetar, që ishte rast unikat për barazimin e përkatësisë kombëtare me atë fetare, në saje të politikës perfide antiboshnjake të pushtetit jugosllav. Por, në rrethana të reja në pluralizëm në vitin 1993, në saje të angazhimit të botës akademike e intelektualëve boshnjakë, u realizua ligjërisht zyrtarizimi i gjuhës boshnjake si dëshmi e identitetit kombëtar që ka qenë e mohuar në sistemin monist, në saje të politikës asimiluese të ideologjisë komuniste në ish-Jugosllavi.

Pasojat nga ideologjia e kohës

Duke lexuar këtë libër nuk ka dilemë së përshtypje të veçantë te lexuesi paraqet aspekti ideologjik, duke trajtuar në detaje shumë çështje që kanë të bëjnë me nazizmin dhe komunizmin, të cilat autori i trajton në shumë aspekte. Ishin këto ideologji që i sollën fatkeqësi të mëdha njerëzimit, ku pësuan miliona viktima të pafajshme.

Nëse nazizmi ishte e keqja e madhe e pritur, për komunizmin është menduar e kundërta, por praktika dëshmoi të kundërtën, sepse me krimet ndaj popujve në vendet e tyre ia tejkaluan nazizmit, ku viktimat me miliona e dëshmojnë një konstatim të tillë, në të gjitha vendet e ish-kampit socialist. Në këtë aspekt përjashtim nuk bën as Shqipëria, ku në saje të ideologjisë komuniste shqiptarët e pësuan në shumë aspekte, ku veçoj deformimin antropologjik e me këtë edhe të ADN-së me pasoja për të tashmen dhe të ardhmen si rast i veçantë në ish-kampin socialist.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.