Kulturë

Njerëzit binin porsi miza

Njerëzit binin porsi miza

Ky titull i frikshëm, me frazeologji të fuqishme dhe tone plot tragjizëm, à la Boccaccio, buron drejtpërdrejt nga pena erudite dhe enciklopedike e Faik Konicës, shkruan Fotaq Andrea, duke rikujtuar një shkrim të Konicës njëqind vjet më parë, për pandemitë si coronavirusi tash që dikur kishin korrur shqiptarët dhe të tjerët nëpër botë,

Është nxjerrë nga një shkrim i tij botuar te almanaku “Kalendari i Maleve”, Bruksel, 1900, ku jepet njëfarësoj historiku i shpejtë i përhapjes së murtajës dhe të sëmundjeve të mëdha në botë e në Shqipëri gjatë të shkuarës, mbi bazën e hulumtimeve të thella që Konica bënte në do “libra të moçëm”, siç e thotë edhe vetë, duke përmendur në veçanti librin referencial Historia politica et patriarchica Costandinopoleo. Epirotica. MDCCCXLIX. Veçse, përtej tragjizmit real të pandemisë që shkaktojnë sëmundjet ngjitëse me përmasa korrëse (në parantezë, a nuk personifikohet vetë vdekja mitologjikisht me një skelet njeriu dhe kosë në dorë?), Konica nuk mungon të nxjerrë në pah dy faktorët themelorë për parandalimin dhe ndalimin e pandemisë: së pari, “Kujdesin e guvernave” (qeverive), ku domosdo nënkupton masat e rrepta në shoqëri me kufizme të mëdha në lëvizjen dhe në kontaktet e njerëzve, dhe së dyti, “Fuqinë e shkencës”, siç shprehet ai, për t’i bërë ballë rrezikut të përgjithshëm shkaktuar nga “sëmundje e tutshme”.