Muzika që asocion në tingujt e borisë paralajmëron ardhjen e balerinëve në skenë. Balerinat bëhen bashkë poshtë skenës, pasi që dalin nga dyert e të dy anëve. Kalorësit vijnë nga dera e hyrjes për të vazhduar drejt skenës së madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Skenografia e dominuar nga ngjyra e gjelbër, e dërgon lojën e balerinëve në një fshat. Në këtë atmosferë, ka nisur loja e shfaqjes “Pushimi i kalorësve”, me koreografi të Natalia Osipovas, që shënon shfaqjen e parë premierë për këtë vit nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Për më shumë se një orë, përmes lëvizjeve të trupit, historia e shfaqjes tregon se bëhet fjalë për një fshat austro-hungarez, që kalorësit ushtarakë e kanë si “destinacion” pushimi pas betejës. Me lëvizje të baletit klasik, shfaqja është përqendruar në një trekëndësh dashurie. Skena të ngjashme manifestohen në interakitivitetin e vazhdueshëm të lëvizjeve të kalorësve ushtarakë me vajzat e fshatit. Skena të tilla i kanë dhënë ngjyrim komik shfaqjes. Përplasjet kanë qenë të dukshme, derisa dy mike luftojnë për dashurinë ndaj të njëjtit burrë.
Koreografia e kësaj shfaqjeje e ka sjellë për herë të tretë në Prishtinë koreografen ruse Natalia Osipova. Vetë koreografja ka thënë se dashuria është kryekëput kryefjala e shfaqjes që e ka punuar për tri javë me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës. “Ngjarja mund të ndodhë në shumë vende, por disa detaje në shfaqje tregojnë se ajo zhvillohet në Austro-Hungari. Kjo vërehet nga veshja dhe muzika. Në secilën shfaqje ka nga pak histori dashurie, por këtu gjithçka sillet rreth asaj historie por që vjen me më shumë pozitivitet”, ka shpjeguar koreografja Osipova.
Ajo ka thënë se në Prishtinë vjen gjithnjë me pozitivitet, ajo ka punuar ne koreografinë e shfaqjes “Vasha e Braktisur” në maj të vitit 2019, kurse herën e fundit këtu ka qenë për koreografinë e shfaqjes “Carmen”, që u dha premierë në prill të vitit 2018.
“Është hera e tretë që vij në Kosovë dhe vij gjithnjë me buzëqeshje. Shfaqja e parë që e kam punuar ka qenë balet neo-klasik, kurse shfaqja e dytë ‘Carmen’ ka qenë shfaqje moderne dhe trupa e baletit këtu ka shumë dëshirë në balet modern. Por, baleti klasik është baza e të gjitha kërcimeve”, ka thënë balerina dhe koreografja Osipova.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)