Pajtim Statovci, i lindur më 1990, është shkrimtar finlandezo-shqiptar që është shpërngulur nga Kosova në Finlandë tok me familjen e tij kur ishte dy vjeç. Romani i tij i parë “My Cat Yugoslavia”, ka fituar çmimin prestigjioz letrar “Helsingin Sanomat” për debutimin më të mirë finlandez.
Më 2016 ai fitoi çmimin letrar “Toisinkoinen”, i dhënë për romanet e dyta, me “Crossing”, rrëfimi i dy çunave që pa iu dridhur mustaku përpiqen të ikin nga Shqipëria paskomuniste. Në një recension për “New Yorker”, Garth Greenwell e ka krahasuar personazhin e tij kryesor, një rrenacak patologjik që përdor hamendësimet mbi viktimizimin me “një tjetër kriminel të çuditshëm, Tom Ripley i Patricia Highsmithit”. Më 2018, Statovci ka fituar çmimin e shkrimtarit të vitit në Helsinki.
“The Guardian”: Romani juaj i parë, “My Cat Yugoslavia”, paraqet një mace raciste e ksenofobe që flet. Pse ikët nga realizmi magjik në “Crossing”?
Statovci: Ka diçka fort çliruese kur bëhet fjalë për realizmin magjik. Nuk çan kokën për rregulla. Por hapërimi brenda gjithnajës së një romani me realizëm magjik mund të jetë i zorshëm si për shkrimtarin, ashtu edhe për lexuesin: është kaq lehtë të përhumbesh në pellgun e metaforave. Në “Crossing” unë kam dashur të ftilloj një rrëfim më të arsyeshëm. Në këtë libër ka një sasi të përkorë frike, dëshpërimi e mospërmbushjeje, që rrjedh nga një ndjesi e mospërkatësisë dhe turpit.
“The Guardian”: A ishte kjo përvoja juaj?
Statovci: Kur isha shtatë vjeç nisa të ndiqja shkollën në finlandisht. Ani pse nuk kisha kujtime nga jeta në Kosovë, për shokët unë isha fytyra e kulturës sime, meqë media vazhdonte të pasqyronte storie të tragjedisë dhe dhunës. Nuk doja mëshirë. Mësova që është diçka tjetër të thuash se je francez a anglez, e diçka tjetër të thuash se vjen nga një vend me histori të plagosur. Që të mos dukesha, unë përpiqesha të fshihja prejardhjen time shqiptare. Kjo është pika ku nis “Crossing”... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)