Kulturë

Jubileu i Beethovenit sjell instrumentistë botërorë në kryeqytet

Ndërsa Filarmonia e Kosovës shënon ditëlindjen e vet jubilare pa sallë koncertale, emra të njohur instrumentistësh tashmë kanë mbërritur në Prishtinë tek i janë bashkuar për koncertin e së dielës, me të cilin kremtohet ditëlindja e 250-të e kompozitorit të famshëm gjerman, shkruan sot Koha Ditore.

Maestroja Maxim Vengerov është në cilësinë e dirigjentit, e Özcan Ulucan në violinë, László Fenyő në violonçel dhe Birsen Ulucan në piano, janë solistët e koncertit, për të cilin qysh të mërkurën 350 biletat u shpërndanë për katër orë

Me shkëputje veprash të Ludwing Van Beethovenit, Filarmonia e Kosovës do ta shënojë jubileun e saj të njëzetë. Koncerti i së dielës, për të cilin të 350 biletat falas ishin shpërndarë qysh të mërkurën, do të hapë siparin e koncertit të parë për këtë vit.

Me një kast instrumentistësh të njohur botërorë nga Rusia, Hungaria dhe Turqia, orkestra e Filarmonisë së Kosovës u bashkë ngjitet simotrave të saj në botë që kremtojnë ditëlindjen e 250-të të kompozitorit të famshëm gjerman. Teksa László Fenyő, Özcan e Birsen Ulucan dhe Maxim Vengerov kishin kryer të parat prova dhe ndiheshin mjaft të familjarizuar me atmosferën brenda orkestrës, drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka folur për koncertin e së dielës, që do të mbahet në “Sallën e Kuqe”.

Në konferencën për media të mbajtur pasditen e së premtes në hotelin “Swiss Diamond”, ai ka thënë se programi i të parit koncert për sivjet u është kushtuar veprave të kompozitorit Ludwing Van Beethoven me rastin e ditëlindjes së tij të 250-të. I pari i Filarmonisë së Kosovës ka vlerësuar pjesëmarrjen e instrumentistëve të njohur.

“Ne kemi fatin, nderin dhe privilegjin që me ne është një maestro si Vengerov, i cili do të drejtojë orke strën filarmonike së bashku me solistët e tjerë”, ka thënë Jashari. “U kërkojmë falje dashamirëve të muzikës klasike që nuk kemi mundur t’iu sigurojmë bileta, meqë ‘Salla e kuqe’ është tepër e vogël karshi interesimit të madh të publikut tonë”.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)