Fillon xhirimi i dokumentarit për Bekim Fehmiun

Fillon xhirimi i dokumentarit për Bekim Fehmiun

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 28 January 2020 08:10

Dokumentari i paralajmëruar vite më parë për aktorin e madh Bekim Fehmiu, tashmë ka bërë hapat konkretë. Beogradi e Sarajeva janë dy shesh-xhirimet e para, por rrugëtimi për ta sjellë rrëfimin për ikonën e filmit jo vetëm në ish-Jugosllavi nuk ndalen me kaq. Me skenar të gazetarit Fahri Musliu, nën regji të Valmir Tertinit, jeta e karriera e Fehmiut do të shpalosen nëpërmjet familjarëve, atyre që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të. Titulli i dokumentarit është thjeshtë “Bekim Fehmiu”. Premiera pritet të jetë gati deri më 15 qershor, kur bëhet një dekadë prej vdekjes së tij. Për t’ia dalë, ekipi prapa tij është duke kërkuar edhe ndihmë financiare nga artdashësit. Projekti është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë, por jo edhe ajo e Kosovës.

Gati një dekadë më parë, për mediat serbe, me rastin e vdekjes së Fehmiut, regjisori Goran Markoviq kishte thënë se Femiu e ka luajtur rolin në filmin e tij të parë “Specijalno vaspitanje” (Edukimi special) sikur të ishte duke aktruar në ndonjë megaprojekt hollyëoodian. Rolin në filmin e viti 1977 aktori kishte pranuar ta luante pa pagesë, ani pse në atë kohë konsiderohej alamet ylli, e Markoviq regjisor pak i njohur. Pikërisht për këtë bashkëpunim ka folur edhe Markoviq, i cili tashmë është intervistuar. Para tri ditësh ai është takuar me regjisorin dhe me pjesën tjetër të ekipit në Beograd. Përveç tij, në dokumentar do të përfshihet edhe bashkëshortja e Fehmiut, aktorja Branka Petriq, i biri Uliks Fehmiu, po ashtu aktor, vëllai Arsim Fehmiu, shoku Vedat Kiseri, kritiku i filmit nga Serbia, Milan Vlajçiq, aktori serb Branislav Leçiq, dramaturgia e regjisorja Ivana Vujiq e të tjerë.

Regjisori Tertini ka thënë se dokumentari do të jetë pa narracion, me intervista e pamje ilustrative nga filmat dhe nga arkivat.

“Xhirimet nisën në Beograd e Sarajevë për të vazhduar në Zagreb. Prishtina, Prizreni, Gjakova, Tirana, Shkodra, Shkupi, Roma, Kana dhe Neë York do të jenë destinacionet e xhirimeve të tjera. Dokumentari ka një trajtimi observativ, pa narracion, me intervista nga personazhet me më ndikim në jetën e tij”, ka thënë ai. Ka treguar se në Beograd gjatë këtyre ditëve kanë xhiruar lagjen, pallatin, fakultetin, dhe disa nga vendet ku ka qëndruar aktori.

“Pastaj në Sarajevë, lagjen dhe shtëpinë ku ka lindur”, ka thënë Tertini, i cili të hënën me ekipin e tij kishte marrë rrugë për në Kroaci. Edhe atje kanë lënë takime me njerëz të afërt me Fehmiun. Gjetja e tyre që kanë çfarë të thonë për aktorin me nam, s’është punë e zorshme. Por telashi kryesor janë mjetet.

Terteni ka thënë se shuma që kanë marrë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë nuk është e mjaftueshme.

“Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri ka dhënë maksimumin e buxhetit. Mosmbështetja nga Qendra Kinematografike e Kosovës është skandaloze, përgjegjës janë drejtori dhe juria”, ka thënë ai. Në adresë të QKK-së më këtë projekt kanë konkurruar vitin e kaluar.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se institucioni që ai drejton zgjedh jurinë dhe u mbetet anëtarëve të saj për t’i vlerësuar projektet.

Duke mos pasur mjetet e mjaftueshme, ekipi i filmi po pret ndihmë nga artdashësit.

Skenaristi i dokumentarit, Fahri Musliu, në një postim në rrjetet sociale ka thënë se dokumentari ka nisur rrugëtimin e vet pas përgatitjeve të gjata, “me vullnet të mirë dhe vendosmëri të realizuesve të tij, por pa mjete të duhura financiare”.

Më gjerësisht, në edicionin e sotëm të gazetës “Koha Ditore”

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme