Më shumë se 300 artistë çdo vit bëhen pjesë e rezidencës artistike “Cité internationale des arts” në Paris. Këtë vit aty do të figurojë edhe emri i balerinit kosovar, Sinan Kajtazi. Një mundësi e jashtëzakonshme, sipas tij, për të zhvilluar aftësitë e tij në kërcim e koreografi.
Mirëpo Kajtazi nuk do të ndalet me kaq, ka thënë se synim e ka që gjatë qëndrimit atje të bashkëpunojë edhe me Trupën e Baletit të Parisit, si dhe me Shkollën Kombëtare të Baletit në kryeqytetin francez, shkruan sot “Koha Ditore”.
Balerini Sinan Kajtazi, i zgjedhur laureat i rezidencës artistike, do të qëndrojë në Francë tre muaj. Qëndrimi në këtë shtet prej janarit të vitit 2020 deri në mars, sipas Kajtazit, është një mundësi e mirë për të krijuar lidhje me artistë të ndryshëm francezë, por edhe nga vende të ndryshme të botës.
“Së bashku më Qendrën Kulturore të Kosovës në Paris dhe me ‘Cité internationale des arts’ kemi disa plane që synojmë t’i realizojmë gjatë qëndrimit tim atje, mirëpo këto janë ende në fazën e përgatitjeve dhe sigurisht pa pasur diçka konkrete, nuk mund të jap ndonjë detaj. Ajo çfarë mund të them me siguri është se synojmë që në këtë periudhë të krijojmë bashkëpunim më Baletin e Parisit në operën ‘Garnier’ dhe me Shkollën Kombëtare të Baletit atje, e cila është nën ombrellën e Baletit të Parisit”, ka thënë ai.
Kajtazi ka thënë se Parisi është kryeqendër e kulturës botërore dhe baleti e kërcimi në përgjithësi në Francë janë tejet të rëndësishëm për popullin francez, prandaj, sipas tij, kjo është një mundësi e artë për të.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)