Masakra e Reçakut dhe reagimi gjerman Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Masakra e Reçakut dhe reagimi gjerman

Sylë Ukshini Sylë Ukshini 14 December 2019 09:42

Muaji dhjetor 1998 ia konfirmoi Misionit paqeruajtës të OSBE-së, i cili synonte të dokumentonte shkeljen e të drejtave të shqiptare dhe krimet e përditshme të shtetit serb, se kishte pak shpresa se mund të arrihej një zgjidhje politike për çështjen e Kosovës.

Për më tepër, në qendrat e vendosjes kishte filluar të qarkullonte informacioni se regjimi i Milosheviqit po përgatitej për goditjen e fundit në Kosovë, për dëbimin masiv të shqiptarëve, shkruan sot Koha Ditore.

Vetëm në javët e para të muajit dhjetor, misioni i OSBE-së kishte evidentuar rreth 170 aksione të armatosura që kishte ndërmarrë Serbia kundër formacioneve shqiptare të UÇK-së dhe popullsisë civile.

Po ashtu, më 14 dhjetor ushtria serbe vrau në pritë dhjetëra ushtarë të UÇK-së në kufirin Shqipëri-Kosovë, ndërsa në qytetin e Pejës u vranë me armë zjarri gjashtë adoleshentë serbe në kafenenë “Panda”, që pas luftës u pohua edhe në Beograd se ishte vepër e shtetit serb, por që ishte bërë për qëllim fajësimi të shqiptarëve dhe me qëllim që të përdorej si fushatë represioni masiv ndaj civilëve shqiptarë.

Kërkesa për armëpushim

Situatën në Kosovë po e ndiqte me vëmendje Qeveria e re gjermane e koalicionit kuq-gjelbër, pasi përshkallëzimi i mëtutjeshëm do të thoshte pjesëmarrje edhe të trupave të Bundeswehrit në një aksion ushtarak në Ballkan, një ndërmarrje e cila më pas do të konsiderohet si pikë kthese në zhvillimin e politikës gjermane të jashtme dhe të sigurisë.

Boni dhe kryeqytetet e tjera perëndimore e kishin tashmë të qartë se Marrëveshja e Hollbrookut po zhbëhej. Qeveria gjermane dënonte përshkallëzimin e dhunës në Kosovë dhe kërkonte nga Serbia dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që të respektojë armëpushimin e nënshkruar në tetor.

“Ne kërkojmë nga të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjen për armëpushim dhe që Misionit Verifikues në Kosovës t’i mundësohet liri e pakufizuar e lëvizjes”, deklaronte për Reutersin zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Martin Erdmann. Qeveria gjermane e kishte të qartë se situata në Kosovë po përkeqësohej në mënyrë dramatike. Në Bon ishte formësuar tashmë qëndrimi, sidomos pas takimit ndërmjet kancelarit Gerhard Schröder dhe presidentit amerikan Bill Clinton, se vetëm një prani e fuqishme ushtarake ndërkombëtare në Kosovë mund të mundësonte një zgjidhje të qëndrueshme. Ngjarjet e fundit në terren dëshmonin se pas përvojës poshtëruese të helmetëkaltërve të OKB-së në Bonjë, vetëm një trupë ushtarake e NATO-s mund të garantonte çfarëdo marrëveshjeje të paqes në Kosovë. Në të njëjtën kohë, Gjermania, qysh në kohën e qeverisë paraprake të Helmut Kohlit, në kuadër të Grupit të Kontaktit, ishte angazhuar fuqishëm për një konferencë ndërkombëtare, njëlloj Dejtoni II. Në kohën kur diplomacia gjermane ishte afër realizimit të synimit të saj për një konferencë të tillë ndodhi masakra serbe në Reçak. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme