Handke refuzon pyetjet për përkrahjen ndaj Milosheviqit

Handke refuzon pyetjet për përkrahjen ndaj Milosheviqit

07 December 2019 13:47

Shkrimtari austriak Peter Handke, të cilit javën që vjen do t’i dorëzohet çmimi “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten në Stokholm, në konferencën tradicionale për media se e do letërsinë, duke i bërë bisht polemikës për qëndrimet e tij proserbe në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë.

“E dua letërsinë e jo mendimet”, i është përgjigjur ai një gazetareje, e cila e ka lutur ta thotë mendimin e tij në lidhje me ngjarjet e viteve ‘90 në Ballkan. “I urrej mendimet”, ka thënë ai. Një tjetër gazetar e ka pyetur se përse në librat e tij s’e përmend Tribunalin e Hagës që ka pranuar gjenocidin në Srebrenicë, për të cilin janë shpallur fajtorë liderët ushtarakë e politikë, Ratko Mladiq e Radovan Karaxhiq.

“Vetëm vazhdoni me pyetjet tuaja, më pëlqejnë pyetjet tuaja”, me ironi është përgjigjur ai teksa ka lexuar letrën “armiqësore”, që i është adresuar bashkë me letër tualeti.

“Më shumë më pëlqen një letër anonime me letër tualeti sesa pyetjet tuaja”, ka thënë ai në konferencën për media, e cila ka nisur në një atmosferë të gëzueshme pasi kori ia ka kënduar Handkes këngën e ditëlindjes. Të premten ai ka festuar 77-vjetorin.

Por disa orë para konferencës, reagime kundër tij kanë ardhur edhe nga institucioni që vendos për laureatin e “Nobelit” për letërsi. Një anëtar i Akademisë suedeze, që ndan çmimin “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten se do të bojkotojë kremtimet e sivjetme në shenjë proteste për çmimin e dhënë për Handke, një mbështetës i presidentit të ndjerë serb. (Më gjerësisht, mund të lexoni sot në Kohë Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme