Kulturë

“Thinking of You” lë fustanet të valëviten si flamuj ngadhënjimtarë në Vjenë

Instalacioni “Thinking of You” (2015) i autores që vepron në Londër, Alketa Xhafa-Mripa, që i kushtohet grave të abuzuara gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, është dhënë më parë në Prishtinë, në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe Luksemburg, kurse tash edhe në Vjenë. Ky instalacion artistik i drejtohet grave të pafajshme, të cilat pavarësisht se kanë përjetuar tortura të tilla, edhe sot, në shumë raste, ndihen të nëpërkëmbura nga familjet dhe shoqëria në tërësi, shkruan sot Koha Ditore.

Ato jo vetëm që ndiejnë dhembjen e përpjekjen, por edhe ndihen fajtore që kanë pasur një fat të tillë. Pas ndikimit të madh që pati kjo vepër artistike, Alketa Xhafa-Mripa vendosi që t’ia dedikonte një version të mëtejshëm të saj grave gjithandej botës që kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Edhe për instalacionin në Vjenë, që u shfaq më 23 nëntor në “Europahaus 1140”, ajo ka ftuar secilën për të dhuruar nga një fustan si simbol të solidaritetit.

Përgjatë një fushe, fustanet apo fundet – si simbol i femrave – duken të varura në litar për t’u përtharë. Nën fërgëllimin e erës, që i bën fustanet të valëviten si flamuj ngadhënjimtarë, artistja Xhafa-Mripa i lë gratë, që ishin subjekte të dhunës, të ngadhënjejnë. Ajo i bën thirrje gruas që të çlirohet nga e kaluara e saj, të ngadhënjejë mbi të.

Kjo pafajësi dhe çlirim nga ajo që ngjau janë theksuar në këtë rast. Ashtu sikundër kjo ngjarje fillimisht zuri vend në një fushë futbolli, aty shfaqej kuptimi që gruaja triumfon mbi mashkullin, e që në këtë rast është abuzuesi i saj. Meqë artistja Xhafa-Mripa përfaqëson ngadhënjimin e këtyre grave, ajo shpreh dëshirën e saj që ato të tejkalojnë këtë akt të së kaluarës së tyre dhe fillimisht të lirohen nga ndjenjat e fajit apo të qenit e ndryshme. Këto petka, të cilat, meqë janë të varura, nënkuptojnë për shikuesin që paraprakisht janë të lara, na tregojnë për pastërtinë shpirtërore të këtyre grave, që ndiheshin të pëgëra nga dhuna seksuale e ushtruar mbi to./Penesta Dika