Kulturë

Shfrytëzimi i artistëve indigjenë – “skllavëri bashkëkohore”

Canberra, 7 nëntor – Shfrytëzimi i pretenduar i artistëve indigjenë, të brishtë e në moshë, nga dilerë të paskrupullt të artit është i barabartë me “skllavërinë bashkëkohore” të njerëzve të brishtë, ka thënë kreu i “APY Art Collective”.

Sally Scales, një grua e fisit Pitjantjatjara nga Pipalyatjara, u ka bërë thirrje mbështetësve dhe blerësve që të “ngrihen e të merren në konsideratë” në adresimin e ringjalljes së praktikave të dyshimta nga disa dilerë të caktuar të artit.

Të martën, “Guardian Australia” ka njoftuar për kërkesat urgjente për një hetim të plotë mbi pretendimet se të paktën tre artistë janë marrë nga komunitetet e largëta të Australisë qendrore nga një diler privat, dhe të paktën një prej tyre është detyruar të shlyejë një borxh prej 20 mijë dollarësh duke prodhuar piktura të reja.

Kolektivi i artistëve me çmime nga APY kanë deklaruar se praktika “dëmtuese, të rrezikshme dhe të paskrupullta”, kanë ndodhur në Alice Springs, në një letër drejtuar kryeministrit të Australisë jugore, Steven Marshal, ministrit federal të arteve, Paul Fletcher, si dhe ministrit federal të australianëve indigjenë, Ken Wyatt.

Wyatt dhe Marshall kanë thënë se ata janë të “brengosur” nga njoftimet dhe që të dy janë të përkushtuar për të hetuar tutje këtë çështje.

Scales ka thënë se është një “varg i tërë shfrytëzuesish” që bëjnë “gjah” ndër njerëz të brishtë, dhe se ishte “dëshpëruese dhe brengosëse për të vjetrit dhe udhëheqjen e qendrave të arteve APY”.

Scales ka theksuar se qendrat e arteve ishin hapësira të sigurta pune për të moshuarit indigjenë dhe njerëzit e paaftë, ashtu sikundër edhe për brezat e rinj, por sapo një artist fiton një profil të lartë “shfrytëzuesit lëvizin” duke i joshur ata në qytete.

Ndikimi në komunitet është i menjëhershëm.

“Artistët i mbajnë familjet e tyre”, ka thënë ajo. “Shfrytëzuesit në të vërtetë po e marrin bukën nga sofra për fëmijët dhe të moshuarit”.

Scales ka thënë se duhet të ketë vëmendje më të madhe në shfrytëzimin e artistëve sesa në shqetësimet rreth artit të rremë indigjen. Kodi për artin indigjen – një kod vullnetar për industrinë – nuk ishte duke dhënë fryte.

“Ne kemi nevojë që të merreni me skllavërinë bashkëkohore që po ndodh në Australinë qendrore”, ka thënë Scales. “Pse nuk mund ta ndryshojmë këtë?”

Drejtoresha e “Tjala Arts”, Nyunmiti Burton, ka thënë se ajo ka folur me dekada rreth kësaj.

“Ne vazhdojmë të bisedojmë me qeverinë në lidhje me atë pse kanë rëndësi qendrat e artit”, ka thënë Burton. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë këtë me secilin brez të ri”.

Marcus Schutenko, drejtor i muzeut dhe galerisë së artit të NT-së (MAGNT), ka thënë se deklarimet për artistët që janë detyruar të pikturojnë për borxhet e anëtarëve të familjeve të tyre ishin “jashtëzakonisht serioze” dhe se ato duhet të jenë çështje e policisë.

Schutenko ka thënë se ka një histori të vjetër të artistëve të shfrytëzuar dhe do të duhej të kishte udhëzues e përkufizime më të forta sa i përket etikës.

Schutenko ka thënë se Kodi i artit indigjen ishte për të kufizuar palë të ndryshme – artistë, galeristë dhe qendra të artit – por ai punonte për ta.

MAGNT u bën vend Telstra National Aboriginal dhe Torres Strait Islander Art Awards (Natsiaas), si dhe shpesh merr vepra të rëndësishme indigjene.

“Procesi jonë është se ne gjithmonë përpiqemi të punojmë drejtpërdrejt me një qendër arti përmes së cilës përfaqësohet një artist”, ka thënë ai. “Është me rëndësi për ne që të jemi në gjendje të ndjekim proveniencën”.

Kjo përfshin kryerjen e hetimeve për të siguruar që praktikat dhe etikat më të mira janë ndjekur gjatë historisë së krijimit dhe prokurimit të veprave, ka thënë ai. “Ka pasur raste kur ndonjë individ dëshironte të dhuronte ndonjë vepër për muzeun, dhe jam i vetëdijshëm për një rast kur ne nuk kemi mundur të garantojmë që është ndjekur praktika më e mirë dhe kështu e kemi kthyer mbrapsht atë”/“The Guardian”.