Kulturë

Në 24 vjetorin e vdekjes, Çetta kujtohet me mozaik të veçantë

Skulptori kosovar Nagip Tashi ka zgjedhur mënyrën e tij për të kujtuar “plakun e urtë”, albanologun e humanistin Anton Çetta.

Ai ka mbledhur copëza druri për të formuar portretin e Çettës.

“Nuk munda të mbledhë copa druri e me i bashku për portretin e Anton Çettës, apo siç e quanin (Plaku i urtë) sa ai ka mbledhë, ka bashku dhe ka pajtu familje në Kosovë viteve '90-ta”, ka thënë Tashi në një postim të tij në Facebook me të cilin e ka shënuar 24 vjetorin e vdekjes së Çettës

Mozaik në dru është i dimensioneve 70 me 50 centimetra. Tashi me mozaik të veçantë e kishte kujtuar edhe veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi, me rastin e një vjetorit të vdekjes së tij. Ndërsa një mozaik të aktorit shqiptar me famë botërore ia kishte dhuruar Teatrit të Prizrenit.

Anton Çetta mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punën e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar.

Por veprimtaria e tij më e madhe, është në Lëvizjen e pajtimit të gjaqeve. Kjo lëvizje u zhvillua në fillim të viteve të 90-ta dhe arriti për një kohë të shkurtër të shuante pjesën më të madhe të hasmërive mes shqiptarëve në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare.

Kjo Lëvizje e udhëhequr nga plaku i urtë, u përkrah nga studentët dhe intelektualët e kohës.

Presidenti Hashim Thaçi e kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj po ashtu kanë kujtuar Çettën në përvjetorin e tij të vdekjes.