Kulturë

Dokumentarë në tri lokacione të kryeqytetit si thirrje për aktivizëm

Prishtinë, 22 tetor – Në mesin e pikave referuese të “Mov(i)e Activism Film Festival” do të zërë vend edhe Prishtina. Për herë të parë, të martën (sot), kryeqyteti do të jetë nikoqir i këtij festivali udhëtues të dokumentarëve, i cili synon të vërë kontakt me komunitetin lokal për të krijuar mundësi që të eksplorohen çështje të ndryshme sociale, politike, ekonomike, por edhe të mjedisit. Qëllim parësor është nxitja e aktivizmit qytetar.

Për ta sjellë ”Mov(i)e Activism Film Festival” në vend fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” ka ftuar edhe “Kino Armatën” dhe “Termokissin”.

Në këto tri lokacione, gjatë tri ditëve “Mov(i)e...” do të prezantojë katër dokumentarë të cilët trajtojnë tema, si puna pa pagesë, aktivizmi artistik, rezistenca kulturore dhe mbrojtja e ambientit.

Festivali organizohet që nga viti 2016. Edicioni i parë i tij, duke u shtrirë edhe në vitin 2017, ka vizituar pesë shtete të ndryshme. Qe ndalur në Berlin (Gjermani), Coimbra (Portugali), Kragujevc (Serbi), Rijekë (Kroaci) dhe Valencia (Spanjë) e në total ishin shfaqur 30 dokumentarë.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")