Kulturë

Al-Mahmud: Vahabizmi si çdo ideologji tjetër, kërcënim i lirisë

Mbretëria e letërsisë nuk mund të duket as në horizont për dikë që ka diplomuar për inxhinieri në Clarkson University në Amerikë. Por kështu nuk ishte për Abdulaziz al-Mahmud, i cili brenda pak vjetësh ka arritur në lartësitë e shkrimtarëve më të mirë të botës arabe. I botuar në vitin 2011, romani i tij “Kusari” është bërë bestseller që ka tejkaluar Katarin dhe vendet e Gjirit.

Pas përkthimit të tij në anglisht, Al-Mahmud është vlerësuar për aftësinë e tij narrative për të pasqyruar përplasje kulturash pa mbajtur anë. “Kusari” – botimin në shqip të të cilit e sjell “Buzuku” mbështetur nga Instituti për Studime Orientale, e që u përurua të mërkurën në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” – ndërkallet edhe me një histori shqiptare. Në mbi 400 faqet e këtij fiksioni historik endet plotësisht rreth kusarit namkeq arab Erhama bin Jaber, kurse prapavija historike paraqet Britaninë koloniale që po fuqizonte praninë e saj edhe në vendet e Gjirit, shkruan sot Koha Ditore.

Në kohën kur lëvizja vahabiste në Siujdhesën arabe ishte hakërryer keq e më keq, shqiptari Ibrahim Pasha bashkë me kalorësit e tij ballafaqohet me fanatikët sauditë. Al-Mahmud ka punuar në disa mediume të rëndësishme të Katarit si “The Peninsula” dhe “Al Sharq”, kurse më vonë ishte njëri nga redaktorët e faqes online të “Al Jazeeras”. Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Al-Mahmud ka rrëfyer për librin e tij që kronikon historinë e një rajoni të tërë, për përplasjet mes fuqive, për arnautët e Egjiptit, për letërsinë si urë mes kulturave…Ka thënë se përkthimet arabe nuk janë as në rend dite në rajonin që gëlon nga luftërat e krizat e njëpasnjëshme. Derisa ka shigjetuar kritika për Perëndimin, Al-Mahmud ka përmendur me shqetësim edhe vahabizmin, kundër të cilit luftoi edhe shqiptari me origjinë nga Kavalla.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)