“Prova” e Adrian Pacit hulumton mundësitë

“Prova” e Adrian Pacit hulumton mundësitë

18 September 2019 15:50

“Prova” është veprim për t’i vënë në hartë mundësitë dhe shanset, por edhe për t’i zbuluar potencialet dhe zotërimet e aftësive. Me një titull të pazakontë e tërheqës, piktori shkodran Adrian Paci do të sjellë ekspozitën, nëpërmjet së cilës imazhi në lëvizje dialogon me imazhin e ndalur të serive fotografike.

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë ka njoftuar se të premten do të hapet ekspozita personale e Adrian Pacit, e kuruar nga Adam Budak. Me “Prova”, artisti që jeton dhe vepron në Milano të Italisë vë në pah dinamikat e largimit dhe të mërgimit përmes një rituali të përkatësisë dhe identifikimit e deri te mekanika e vetëfuqizimit dhe emancipimit.

“’Prova’ – një titull i përbashkët për ekspozitën dhe punën më të fundit në video të artistit – është një koleksion autoportretesh – ndoshta gjesti politik më i pjekur dhe më radikal i artistit, shpreh urgjencën për të ndërmarrë veprime dhe tregon gatishmërinë për të aktivizuar ndjenjën e përgjegjësisë qytetare”, thuhet në njoftimin mbi ekspozitën.

“Prova”, sipas fjalëve të vetë Pacit, është “një moment tensioni si një metaforë për botën dhe gjendjen e saj në transformim të vazhdueshëm”.

Kështu, fjala “provë” bartet së bashku, ndërsa kamera portretizon protagonistët e gatshëm për të vepruar në skenën e speculum mundit.

“Ashtu si në një kor të sapokrijuar, zërat e shumëfishtë këndojnë midis vetëbesimit dhe mungesës së tij, të pezulluar, të dëgjuar me zor, të turpëruar, të pashtershëm, nganjëherë me zë të lartë, shpeshherë të shtypur, në të njëjtën kohë të pafajshëm dhe të dekurajuar, edhe pse të guximshëm dhe të saktë”.

Tutje “Prova” e Pacit bart një mesazh mesianik të optimizmit politik dhe shpresës, kurse skenat urbane paraqesin një asamble polifonike, një parlament të shumëllojshmërisë.

“Si një shoqëri në gjendje apatie dhe hipnotike që pret një recetë të mundësive të parealizuara dhe shanseve të tretura, ekzaminimi kritik i Pacit për potencialet, i mbyllur nga sistemi shtypës dhe kufizimet e tij, dhe anatomia e dëshirës politike funksionojnë si akuzë dhe paralajmërim për të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Një anë e veçantë e ekspozitës së Pacit është se motivet e marra nga videot përkthehen në forma të tjera, ndërkohë që cilësia kinematografike fiton një ngjyrim piktoresk.

Në tjetër veçanti e piktorit nga Shkodra është se ai manovron lirshëm mes mediumeve duke eksploruar materialitetin dhe aspektet sensuale të një mediumi si formë e të shprehurit.

“Çdo punë aktivizon një formë marrëdhënie dhe ndërmjetësimi. Duke përdorur metoda teatrale të distancimit dhe afërsisë, artisti e bën shikuesin të vetëdijshëm dhe të vëmendshëm në mënyrë kritike për atë që ai/ ajo sheh dhe vështron. Ky është rituali personal i Pacit që përsërit politikën e gjesteve në një transferim alkimik, vetëreferencial të imazheve, kuptimet e tyre, format dhe kontekstet”.

I lindur më 1969 në Shkodër, Adrian Paci ka kryer studimet për pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Prej vitit 1997 është vendosur në Milano të Italisë, ndërkohë që gjatë karrierës ka pasur ekspozita të shumta personale në institucione të ndryshme ndërkombëtare, si Musée d'Art Contemporain de Montréal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milan (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); Galeria Kombëtare e Kosovës (2012); “Kunsthaus Zürich”, Zürich (2010); “Bloomberg Space”, London (2010); The Center for Contemporary Art – CCA, Tel Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006) dhe Contemporary Arts Museum, Houston (2005).

Ndër ekspozitat e ndryshme kolektive, puna e Adrian Pacit është paraqitur edhe në edicionin e 14-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës - La Bienales di Venezia (2014); në edicionin e 48-të dhe 51-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit - La Bienale di Venezia (përkatësisht në vitin 1999 dhe 2005); në Bienalen e 15-të të Sidneit (2006); në edicionin e 15-të Quadriennale Rome, ku ai fitoi çmimin e parë (2008); në Bienalen de Lyon (2009); dhe në edicionin e 4-t të Bienales së Selanikut për Artin Bashkëkohor (2013).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme