Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Pjetër Bogdani, mjeshtër i formave të ligjërimit

Sot, në ditën e tretë të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u mbajt tryeza kushtuar figurës së Pjetër Bogdanit.

Drejtuesi i kësaj tryeze shkencore prof. Osman Gashi foli në pika të shkurtra për biografinë e Bogdanit dhe formimin e tij derisa më pas prezantoi panelistët.

Prof. Kujtim Shala, prof. Evalda Paci dhe Dom Lush Gjergji ishin panelistët e tryezës së sotme të mbajtur në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë.

Kumtesa e parë me titull “Libri i Bogdanit” u lexua nga prof. Kujtim Shala i cili u fokusua te vepra madhore e Pjetër Bogdanit “Cuneus prophetarum”. Siç transmeton KultPlus, Shala e quajti Bogdanin mjeshtër të formave të ligjërimit dhe bëri pyetjen se a është aktual Bogdani?

“Bogdani lexohet edhe sot ndërsa leximi është provë klasiciteti. Një vepër e kryer, kryerjen e ka në idetë e saj, ndërsa përkryerjen në diskurs. Të lidhura bashkë dhe të prera për nga saktësia idetë dhe format janë shenjat tipike të veprës së Bogdanit”, tha Shala.

Edhe ​Në 330-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit, Dodë Gjergji bën thirrje të mos braktiset atdheu Arbëri ​Në 330-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit, Dodë Gjergji bën thirrje të mos braktiset atdheu

Më tej ai foli për statusin e autorit në kohën e Bogdanit.

Image

“Komentatori dhe auktori ishin autoritetet e retorikës së literaturës kishtare. Retorika religjioze jep mësimin e virtytit me të gjitha shenjat e diskursit bindës” shpjegoi ai.

“Veprat e tilla strukturohen duke pasur parasysh predikumin. Ligjëratat e Bogdanit janë morale, dhe ato shënjojnë strukturën retorike që na çojnë te sistemi logjik”. Tutje ai foli për rrugën, jetën dhe të vërtetën në veprën e Bogdanit. “Libri i Bogdanit na çon te virtyti për të kërkuar shpëtimin te Krishti Zot — ‘Zot na shpëto, mbaruam’. Vepra e kryer e Bogdanit është rezultat i punës së gjatë”, potencoi Shala.

Profesoresha Paci në kumtesën e saj trajtoi shërbimin e Bogdanit për dijen dhe atdhesinë.

“Vepra e Bogdanit është realizim kompleks si nga përmbajtja dhe vëllimi dhe ndërthurja e krerëve përbërëse la gjurmë të ndjeshme në personalitetin e këtij autori”, theksoi ajo. Dom Lush Gjergji në kumtesën e tij me titull “Imzot Pjetër Bogdani njeri i fesë, kombit dhe kulturës”, tha se vepra e tij nuk mund të kuptohet pa dimensionin e fesë dhe besimit. Ai tha sa Bogdani kishte përgatitje filozofike, teologjike, shpirtërore dhe kulturore në nivelin më të lartë.

Edhe U përkujtua Imzot Pjetër Bogdani, pararendësi i Rilindjes Kombëtare Kulturë U përkujtua Imzot Pjetër Bogdani, pararendësi i Rilindjes Kombëtare

“Ai kishte qëllim mbrojtjen e popullit shqiptar nga ndikimet dhe sundimet e të huajve, zhvillimin fetar kulturor dhe shpirtëror dhe shlirimin nga robëria dhe injoranca nëpërmjet zgjimit fetar dhe kombëtar si parakusht për vetëdijesim nga sundimi shekullor turko-otoman”, tha mes tjerash Dom Lush Gjergji në këtë tryezë kushtuar Bogdanit me rastin e 330-vjetorit të vdekjes së tij.

Në ditën aktivitetet e Seminarit do të vazhdojnë në Fakultetin e Filologjisë, me kurse të gjuhës dhe ligjërata.