Kulturë

Pasioni për lulet i shndërruar në profesion

Kujdesi për lulet në ambientet e shtëpisë, në shoqërinë tradicionale në Kosovë është parë si punë për gra. Shumë prej tyre e kanë kultivuar këtë pasion, e ka shumë të atilla që merakun për lulet e kanë kthyer në profesion.

Fatmushe Hajrizi dhe Raza Demolli janë dy prej tyre. Ato kanë bërë vend në tregun mobil të Prishtinës, dhe me pasionin e tyre për lulet kanë arritur të fitojnë. Rrëfimet e tyre dallojnë. E para nisi krejt rastësisht të shesë lulet që i bënte për qejf, e kjo e dyta e pa si zgjidhje për të ikur nga papunësia që kishte shkaktuar sistemi diktatorial i viteve ’90 në Kosovë.

Por të dyja kanë të përbashkët mënyrën se si flasin për lulet. Plot pasion që garanton kujdes. Hajrizi thotë se luleve u flet, e Demolli thotë se lulet janë shpirt i gjallë që thërrasin për kujdesin e njeriut. Kthimi i këtij investimi është jo vetëm dashuria që japin lulet, por edhe hijeshia e ambientit ku vendosen.

Meraku në gjen

Fatmushe Hajrizi thotë se merakun për lule e ka në gjen. Nuk e ka kultivuar me fjalë nga ndonjëra prej gjysheve a nëna e saj. Por e mban mend veten si fëmijë t’i ketë dashur shumë lulet. Pa i dashur thotë se ato s’mund të bëhen.

“Puna me lule shkon edhe me gjene, nëse nuk i do nuk mundesh me i kultivu. Unë qysh kur kam qenë e vogël i kam dashur, dhe gjithnjë ndiej kënaqësi kur merrem me to”, thotë ajo, në nisje të bisedës, prapa tezgës së saj që këtë javë kishte zënë vend në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)