Kulturë

Kufiri Kosovë-Shqipëri izolon komunikimin e të ardhmen

Studentë dhe studiues të antropologjisë, etnologjisë dhe etnografisë nga Shqipëria dhe Kosova janë bërë tok në edicionin e katërt të Laboratorit të Antropologjisë Vizuale në “DokuFest”. Nëpërmjet imazhit synojnë të vënë në pah çështje që shqetësojnë shoqëritë bashkëkohore, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë vit kanë hulumtuar sesi kufijtë ndikojnë në jetën e njerëzve. Katër ekipe të studentëve kanë realizuar katër dokumentarë, me të cilët sjellin histori të ndryshme që lidhen me temën e edicionit të katërt të këtij Laboratori që synon të krijojë një platformë bashkëpunimi më afatgjate midis institucioneve kërkimore dhe pedagogjike në fushën e antropologjisë dhe etnologjisë të Shqipërisë dhe Kosovës. Projektet e përbashkëta kërkimore janë një prej pikësynimeve. Këtë vit u përzgjodh tema e kufirit shtetëror midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Të enjten, dy dokumentarë të realizuar nga studentët u shfaqën në “Kino Klub”. Eros Dibra dhe Elison Ramovi nga Shqipëria përmes dokumentarit të tyre “Veturë” sollën historinë e artistit Ramazan Menishi dhe vëllait të tij Bajramit. Për rreth 19 minuta Dibra dhe Ramovi eksplorojnë jetën në Kukës të këtyre dy personazheve. Ata kanë qëndruar në Kukës pesë ditë dhe kanë realizuar intervista. Ramazan Menishin e kishte impresionuar Dibrën qëkur ai kishte parë një ekspozitë të tij. Sipas tij, ai kishte një paqe pavarësisht se jetonte i izoluar në Kukës.

“Duke pasur artin në prapavijë u përqendrova tek një artist dhe rrugës na doli edhe i vëllai, i cili ishte mjeshtër i cules. Këtu mendova që përveç kufirit që vendos shteti, politika apo njeriu të eksplorojë edhe atë kufirin e brendshëm. Çdo kufi tjetër është pasojë e moskalimit të këtij kufiri”, ka thënë Dibra. Ai merret me video-art dhe për herë të parë ka realizuar një dokumentar në të cilin thotë se do të punojë akoma.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)