“HAPU” mbyllet me “The Snowball Effect” dhe pengesat në shesh

“HAPU” mbyllet me “The Snowball Effect” dhe pengesat në shesh

Salih Mehmeti 19 July 2019 12:04

Prishtinë, 19 korrik – Me performancën e kolektivit të artistëve nga Italia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova, Festivali i Artit në Hapësirë Publike – HAPU ka përmbyllur edicionin e tij të pestë.

E realizuar të enjten në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, vepra në zhvillim “The Snowball Effect”, që u performua tri herë radhazi, ka mbledhur artistë e qytetarë të shumtë.

Megjithëse organizatorët e Festivalit kanë thënë se kishin marrë leje nga Komuna e Prishtinës për të zhvilluar aktivitetin, hapësira e sheshit ka krijuar përshtypjen e një mishmashi të shkaktuar nga punimet e zhvilluara aty dhe nga vendosja e tezgave.

Si një format kreativ bashkëkohor, "The Snowball Effect" i qaset idesë së komunitetit, duke zhbiruar mënyrat sesi njerëzit bëhen bashkë. Të performuara në hapësira publike, ideja e performancave të “Snowball” është që të promovojë ndërveprimin social mes njerëzve, pavarësisht dallimeve të tyre në mendime e perceptime.

Dhjetëra aktorë të teatrit “Oda”, si pjesë e projektit, kanë diskutuar çështje që prekin ndjeshmërinë e njerëzve. Kështu, performuesit me zë të lartë kanë argumentuar për dhe kundër bashkimit kombëtar, martesave të gjinisë së njëjtë dhe ndarjes së trashëgimisë për femrat. E të shumtë kanë qenë edhe kalimtarët e rastit që janë bërë kureshtarë nga diskutimet, por edhe janë përfshirë në to.

Drejtori artistik i festivalit HAPU, Florent Mehmeti, ka vlerësuar se cilësia e festivalit po bëhet më e mirë nga viti në vit. Ai ka thënë se edicioni i sivjetmë i festivalit është organizuar kësaj here edhe në Fushë-Kosovë.

Festivali “HAPU” për tetë ditë me radhë ka shfaqur një laryshi performancash e formash kreative të artit modern. Kështu, më datat 11, 12 dhe 13 korrik, kompania e akrobatëve francezë “Un Loup Pour l’Homme” ka performuar në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, si dhe në teatrin “Oda”. Artisti italian Marco Barotti ka shpalosur instalacionin e tij "Qukapikët" në Prishtinë dhe në Fushë- Kosovë, përderisa po të njëjtën ditë dhe në po të njëjtat vende kompania zvicerane “Asphalt Piloten” ka realizuar performancën e saj “Tape Riot”.

Festivali i Artit në Hapësirën Publike - HAPU është mbështetur edhe nga rrjeti evropian i krijimit artistik “IN SITU”. I krijuar nga Komisioni Evropian e me gjithsej 20 anëtarë, ky rrjet mbështet projekte gjithandej Evropës, duke inkurajuar artistët e rinj.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme