Kulturë

Prekazi, pikë kthese e vëmendjes ndërkombëtare mbi luftën në Kosovë

“Rrahimi, Rrahimi është”, thonë disa burra teksa vënë në arkivol një kufomë krejtësisht të djegur. Krisma armësh, shtëpi të djegura, erë lufte. Këto janë disa nga sekuencat e filmit dokumentar “The Valley” (Lugina) i realizuar në vitin 1998 nga video-gazetari britanik Vaughan Smith, shkruan sot Koha Ditore.


“Ky dokumentar është bërë me teknologjinë e vjetër filmike që i jepte atij një cilësi të lartë. Them se Kosova është me fat që ka një film të tillë mbi luftën e fundit”, ka thënë Smith me rastin e shfaqjes së tij në Prishtinë. Të premten, në mensën “Ramiz Sadiku” në “Pejton” u mbajt një bashkëbisedim i “Frontline Club Talk” me rrëfimet e gazetarit britanik Smith dhe Elida O’Connell, po ashtu gazetare e cila në kohë lufte ka qenë producente në agjencinë amerikane,“Associated Press”.

Asokohe vetëm 35 vjeç, Smith si kameraman i BBC-së, i kishte vënë detyrë vetes të pasqyronte gjendjen në Kosovë mes flakëve të luftës e krimeve të pashembullta të forcave ushtarake dhe policore serbe.

“Unë isha një video gazetar i pavarur në Londër. Një ditë kur po kthehesha nga aeroporti në shtëpinë time në Londër, taksisti ishte shqiptar dhe quhej Pleurat Sejdiu. Kur e vuri re kamerën time më tha: ‘Ti duhet të shkosh në Kosovë’. Ai e njihte mirë Jashar Salihun që jetonte në Zvicër, dhe i cili kishte kontakte në Drenicë”, ka thënë Smith duke evokuar historinë e tij të raportimit nga Kosova.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)