Kulturë

“The Road to Damascus” në frontin sirian për liri dhe shenja nga Kosova

Skenë nga “The Road to Damascus”

Skenë nga “The Road to Damascus”

Është një dëshmi mbijetese, vuajtjeje e qëndrese. Një kronikë lufte, dhe lirie. Ndjek njëmbëdhjetë ditët e fundit të regjimit të Assadit. Rrëfimi ka të bëjë me Sirinë, por mesazhi përkthehet universalisht. Producenti Eki Rrahmani është “lidhja” me Kosovën. “Është kënaqësi e veçantë kur arrin profesionalisht të shpaguhesh dhe t’u japësh shpresë të tjerëve që janë duke luftuar për lirinë, siç më ka dhënë dikush mua shpresë para gati tri dekadash. Jam shumë krenar për këto vende ku kam punuar dhe ky është dokumentari i radhës”, ka thënë Rrahmani

“The Road to Damascus” (Rruga drejt Damaskut) dokumenton luftën civile në Siri. Kap momentet më kritike deri te çlirimi. Fiks njëmbëdhjetë ditë vizualizojnë ngjarjen historike të vendit i cili për një gjysmëshekulli vuajti nga regjimi diktatorial, e në kohën e Bashar Al-Assad edhe nga dhuna e vrasja për fron. Producenti Eki Rrahmani, bashkë me Maher Jamous dhe Ibrahim Alshamaly, paralelizon rrëfimet politike e ushtarake me historitë njerëzore të mbijetesës dhe kujtesës.

Dokumentari i metrazhit të gjatë hulumton dhe sjell imazhet e ftohta nga vija e parë e frontit të luftës. Sipas producentit Rrahmani, ai ndërthur pamje të papara më herët dhe zbulon se si u shemb makineria e regjimit.

Ai njihet për veprimtarinë e tij në raportim nëpërmjet dokumentarëve nga vatrat e luftës. Ka thënë se ky është një prej më të mirëve që ka realizuar deri tash. Projekti ka ardhur në kuadër të mediumit “Al-Jazeera”, në të cilin Rrahmani është i angazhuar që nga viti 2007.

“Për mua është një ndër filmat më të mirë që kam bërë deri tash për Al-Jazeera, sepse kam qëlluar në vendin dhe në kohën e duhur. I kemi pasur dy kameramanë njëmbëdhjetë ditët e fundit para se të nisë ofensiva kundër diktaturës së Bashar al-Assad. Kemi qenë shumë me fat, kanë qenë filmues sirianë dhe kanë kapur që prej përgatitjeve të para për ta çliruar Aleppon. Pas njëmbëdhjetë ditëve kanë arritur ta çlirojnë Damaskun dhe ta rrëzojnë regjimin e Assadit, një ndër regjimet më të frikshme në regjion e në botë. Sipas ‘Amnesty International’ gjatë viteve 2012 deri 2018, mesatarja për ditë ka qenë deri 400 vrasje”, ka thënë ai.

Dokumentari është dhënë premierë më 8 dhjetor, në njëvjetorin e rënies së regjimit të Bashar al-Assad dhe është i qasshëm në platformën “YouTube”. Gati 100 mijë shikime ka marrë deri më tash. Rrëfimi hapet me trajnimet ushtarake. Pas gati 14 vjetësh konflikt, luftëtarët bëhen gati për betejën finale. Janë mijëra të rinj që trajnohen. Aty bëhet e ditur se një dekadë prej nisjes së luftës, popullsia është trefishuar dhe shumë njerëz flenë në kampe refugjatësh në rajonin e Idlibit.

Dokumentari “The Road to Damascus” tregon se si nisën protestat paqësore, të cilat gjetën kundërpërgjigje të dhunshme. Regjimi i Assadit filloi bombardimin në qytetet që nuk u përmbaheshin rregullave të tij, përfshirë Damaskun, duke tentuar ta rimarrë kontrollin në këto vende. Të gjithë janë prekur nga kjo luftë civile, sikurse edhe një gjashtëvjeçar i përlotur tek tregon se si Assad i vrau dhe i la pa shtëpi.

Dëshmitarët nga protesta anti-Assad tregojnë se si kishin parë protestuesit tek shndërrohen në luftëtarë. Ishin konsideruar si rebelë dhe luftëtarë. I bëhet homazh edhe imazhit të qytetit. Aty është gjithçka e shkatërruar.

Dokumentari vizualizon përkushtimin, rezistencën e konsistencën e këtij populli për të kundërshtuar padrejtësitë.

Ata në të njëjtën kohë bënin edhe punë të tjera, siç ishte gërmimi masiv për të ndërtuar një rrjet tunelesh për të ikur nga lagja “Jobar”. Veç ajo ka më shumë se dy mijë e 500 martirë.

Historitë janë tejet të trishta, pa u përpunuar skenat e pa vendosur efekte. Një varrmihës nga ky vend ka varrosur mbi njëzet anëtarë të familjes së tij. Aty nuk kursehen të rinj, fëmijë e të moshuar. Si në çdo luftë tjetër.

Pas shtatë vjetësh rezistencë, forcat e regjimit morën në kontroll Jobarin në pranverën e vitit 2018. Në dokumentar thuhet se fitorja e Assadit ishte e mundur vetëm falë aleatëve kryesorë të tij, Rusisë dhe Iranit. Protestat vazhduan edhe në kohë të pandemisë. Pankartat mbajnë shkrimet “Koronavirusi po vret botën, por virusi Bashar po vret sirianët”.

Kushtet humanitare ishin të tmerrshme me zhvendosje masive dhe humbje e shpresës. Në protesta këndohej se “ai që vret popullin e tij nuk është asgjë më shumë se tradhtar”.

Teksa vijojnë imazhet nga vija e parë e frontit të luftës, në dokumentar tregohet se humbje të mëdha kishte nga të dyja palët. Ishte luftë midis pushtetit dhe asaj që konsiderohej si opozitë. Dy taborë, i njëjti komb.

Konsiderohet si dëshmi e mbijetesës, vuajtjes dhe qëndresës. Xhirimet janë kryer nga një ekip filmbërësish sirianë, të cilët fituan qasje në forcat e armatosura të ofensivës kundër regjimit që nga momenti kur u larguan nga Idlibi e deri në kryeqytetin Damask.

Rrahmani ka treguar se gjatë gjithë kohës kanë qenë në kontakt me ta duke u dhënë udhëzime në punën e tyre.

“U jepnim direksione se si të xhirojnë, ku të shkojnë, çfarë të pyesin, çfarë karakteresh na duhen. Këtë e kemi pasur pak më lehtë, ndërsa në Idlib nuk ka qenë në kontroll të shtetit. Ofensiva ka shkuar shumë më shpejt sesa është pritur. Edhe ne, edhe vetë rebelët nuk kanë pritur që për njëmbëdhjetë ditë do të mbërrijnë në Damask. Në fillim kemi menduar se do të zgjasë për muaj të tërë”, ka treguar Rrahmani në një bisedë për KOHËN.

Imazhet sjellin edhe reagimet e civilëve derisa forcat opozitare përparuan dhe më shumë qytete ranë nën kontrollin e tyre.

Producenti shqiptar, Eki Rrahmani, ka punuar paraprakisht filma për luftën në Siri. Këtij të fundit i referohet si shpagim ndaj atyre që kanë  dokumentuar luftën e Kosovës.

“Është kënaqësi e veçantë kur arrin profesionalisht të shpaguhesh dhe t’u japësh shpresë të tjerëve që janë duke luftuar për lirinë, siç më ka dhënë dikush mua shpresë para gati tri dekadash. Jam shumë krenar për këto vende ku kam punuar dhe ky është dokumentari i radhës. Prej diktatorëve ky është një ndër më të këqijtë, ka kryer krime shumë të mëdha ndaj popullit të tij”, ka thënë ai.

Ka konsideruar se është shumë e rëndësishme kapja e momentit të çlirimit të Sirisë. Sipas tij, “e  gjithë ngjarja e Sirisë është shumë e dhimbshme, sepse për një karrige, me miliona njerëz janë detyruar të largohen nga shteti”.

“The Road to Damascus” e ka konsideruar kryevepër të karrierës së tij prej producenti.

“Punoj me Al-Jazzeera prej 2007-s dhe kam qenë i përfshirë duke raportuar prej shumë luftërave, por asnjëherë nuk kam pasur një projekt kësisoj. Në Libi, në vitin 2012 e patëm realizuar një film që ka qenë goxha i ngjashëm, por ky është krejt diçka tjetër, një kryevepër në aspektin e asaj si kronikë dhe dokument i një ngjarjeje kaq të madhe historike. Për këtë projekt jam shumë krenar dhe me fat që kemi qenë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur”, është shprehur producenti Rrahmani.

Ka bërë të ditur se në janar filmi dokumentar do të ketë një shfaqje në Londër.

Në korrik, ai solli në Prishtinë dokumentarin “Nën hijet e luftës” të punuar bashkë me Gazmend Nelën, po ashtu si projekt i “Al-Jazzeeras”, në “Reporting House” duke shpalosur Masakrën në Burgun e Dubravës.

“The Road to Damascus” dokumenton kthesën e historisë për Sirinë e vendin që po rindërton identitetin e tij pas dekadash dhune e frike.