Kulturë

“Kreolët e Ballkanit” që luftojnë për tokën dhe dashurinë

Foto: Koha
 

Mbishkrimi “Kosova Republikë” dhe flamuri kombëtar kanë defiluar midis Beogradit, në kulmin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Ato i kanë shpalosur dy shokë fëmijërie - Hekurani dhe Besimi. I pari është djalë i një nëne serbe dhe burri shqiptar, kurse i dyti shqiptar nga dy lidhjet e gjakut. Por miqësinë e tyre e prishin pushtetarët, të cilët ua veshin akuzat për tradhti. Kërcasin edhe armët, shkruan sot Koha Ditore.

Por kjo ka qenë vetëm një lojë e aktorëve që është zhvilluar brenda Qendrës për Dekontaminimin Kulturor në kryeqytetin serb. Derisa protagonistët interpretonin dramën “Kreolët e Ballkanit” të Enver Petrovcit, gjithë hapësira përreth ka qenë e siguruar nga forca të shumta të Njësisë Speciale serbe. Në dy ditët e para të festivalit “Mirëdita, dobar dan”, atyre u është dashur t’i shpërndajnë dhjetëra protestues të dhunshëm, të cilët kanë tentuar të pengojnë aktivitetet, që në thelb kanë rrëfimet nga lufta e viteve ‘90 në Ballkan a krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë, siç qe shpalosur në natën e dytë të festivalit me dokumentarin “Ferdonije” të Gazmend Bajrit dhe Shkurte Dautit, që shpalos dhimbjen dydekadëshe të Ferdonije Çerkezit për bashkëshortin dhe katër djemtë e humbur në luftë.