Ministria e Kulturës me 20 zyrtarë në Bienalen e Venecias

Ministria e Kulturës me 20 zyrtarë në Bienalen e Venecias

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 17 May 2019 11:00

Prishtinë, 17 maj – Deri në 11 kishte shkuar numri i zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës para tre vjetësh në Festivalin e Cannes. Por në Bienalen e Venecias, ku Kosova merr pjesë për të katërtën herë e që prezantohet me “Family Album” të Alban Mujës, “familja” e MKRS-së arrin në 20 veta. Bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe një këshilltar të tij, shpenzimet vetëm për udhëtim e akomodim arrijnë në së paku 25 mijë euro. Gati çerek milioni euro është kostoja e prezantimit të vendit në këtë ngjarje botërore

Udhëtarëve të Ministrisë së Kulturës drejt qytetit italian u ka prirë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, me bashkëshorte. Është përcjellë nga shefi i kabinetit, Samir Hoxha, me bashkëshorte, Frederika Morina, këshilltare e ministrit, Saranda Xhuraj, zyrtare e lartë e protokollit, Edona Spahiu, asistente ekzekutive e ministrit, Granit Shosha, zyrtar për media, Gëzim Gashi, asistent i ministrit, Ylber Kryeziu, zyrtar sigurimi i ministrit. Sipas sqarimeve që ia ka dhënë gazetës MKRS-ja, bashkëshortet e zyrtarëve kanë udhëtuar me shpenzime vetjake, shkruan sot Koha Ditore.

Por Ministrisë së Kulturës nuk i ka mjaftuar ky përfaqësim.

Nga MKRS-ja kanë marrë pjesë edhe Feim Hoxha, ushtrues detyre i Departamentit të Kulturës, Brikena Mulliqi, drejtoreshë e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Genta Kryeziu, zyrtare e personelit, Dhurata Ramosaj, koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës e Drilona Belallari, zyrtare ligjore në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Delegacion në vete ka qenë ai i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Anëtarët e Këshillit Drejtues të këtij institucioni, Arjeta Miftari, Lorik Sylejmani e Malbora Krajku kanë shkuar në Venecia. Bashkë me ta kanë udhëtuar edhe sekretari i Këshillit Drejtues, Taulant Balaj, njëherësh udhëheqës i personelit në MKRS, Lirije Buliqi, zyrtare e lartë administrative e Mexhide Maxhuni, zyrtare e financave.

E sipas Kuvendit të Kosovës në Bienalen e Venecias nga ky institucion ka marrë pjesë vetëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga këshilltari për protokoll. Veseli atje është shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij.

Ministria e Kulturës tashmë e ka shndërruar në traditë dërgimin e zyrtarëve nëpër ngjarje ndërkombëtare të kulturës.

Shuma totale e pagesave të realizuara deri më tani nga MKRS-ja për pjesëmarrje në Bienale është rreth 220 mijë euro, thonë në MKRS.

Ministria e Kulturës deri më tash s’ka dhënë arsyetime konkrete për rolin e 20 zyrtarëve, të cilëve me taksa u janë mbuluar shpenzimet në Venecia.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme