Kulturë

Çmimi letrar “Kadare” në pritje të finalistëve

Prishtinë, 22 prill – Pranë konkursit të përvitshëm për çmimin “Kadare”, ndër më të rëndësishmit e letërsisë në Shqipëri, tashmë janë rreshtuar 50 emra autorësh. Deri nga fundi i këtij muaji, lista do të ngushtohet në dhjetë nga sa do të jenë pjesë e garës zyrtare. Më pas pesë do të jenë finalistë për çmimin që shoqërohet me shpërblimin prej 10 mijë eurosh.

Juria e këtij edicioni përbëhet nga shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja, përkthyesja dhe profesoresha Diana Kastrati, studiuesja Genciana Egro, shkrimtari, dramaturgu e gazetari shqiptar Bashkim Hoxha dhe drejtoresha e “UET PRESS”, njëherësh edhe koordinatorja e këtij çmimi Alda Bardhyli.

Bardhyli ka thënë se juria tashmë është në fazën e leximit për të përzgjedhur top-dhjetëshen që do të vijojë garën drejt çmimit të madh.

“Juria do të mblidhet javën e fundit të prillit, për të bërë publik se cilët nga autorët që ia kanë besuar dorëshkrimet e tyre këtij konkursi do të jenë pjesë e konkursit ‘Kadare’. Mes 50 kandidatëve spikasin edhe emra të njohur në letrat shqipe, si: Faslli Haliti, Grigor Banushi, Ylljet Aliçka, Roland Gjoza, Thanas Dino, Mimoza Hysa”, ka thënë Bardhyli.

Ajo ka theksuar se ashtu sikurse në edicionet e mëparshme, edhe këtë vit dominojnë autorët e rinj dhe 50 dorëshkrime është shifër mbresëlënëse, për, siç e quan ajo, “një letërsi të vogël si kjo e jona”. Dorëshkrimet e autorëve janë vepra të këtij viti, që sipas Bardhylit përkthehet në atë se konkursi është shndërruar në motiv për shumë krijues.

“Ajo çfarë është e rëndësishme, është fakti që veprat e dorëzuara janë të një niveli të lartë”, ka shtuar ajo.

Kjo gjini me traditë ka thënë se ngjan sikur po përsoset me bashkimin e autorëve të rinj. Tashmë sinopsiset, bashkë me 15 faqet e para të 50 veprave, janë në duart e jurisë, që, sipas Bardhylit, ka nisur punën për të gjykuar me seriozitet secilin prej tyre.

Koordinatorja Bardhyli ka thënë se hyrja e konkursit në edicionin e pestë të tij tregon rritje të besueshmërisë së autorëve te ky konkurs, si një institucion i rëndësishëm i gjykimit të letërsisë shqipe.

Sa i përket interesimit, Bardhyli ka theksuar se është edhe më i madh se viteve paraprake, ngase diku rreth 70 aplikantë kishte brenda afatit dhe shumë sish që vazhduan të dërgojnë dorëshkrimet edhe pasi ishte mbyllur konkursi.

Më të shumtë në numër janë autorët nga Shqipëria, pasuar nga ata nga Kosova dhe Diaspora, ndërsa nga Maqedonia numri sillet rreth 2-3 aplikantë. Për nga struktura gjinore më shumë ka pjesëmarrës meshkuj, nga ajo moshore ka më shumë të rinj, gjë që Bardhyli e ka konsideruar shumë të rëndësishme ngase ata do të jenë “krijuesit e së nesërmes”. Fituesi i edicionit të pestë do të shpallet në Ditët Letrare të Razmës, që mbahen nga data 25-27 maj në Razëm, fshat që ndodhet rreth 41 kilometra në veri të Shkodrës dhe cilësohet si porta hyrëse e Alpeve shqiptare.

Fituesit e deritanishëm kanë qenë: Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muci.