Kulturë

Basha: Aventura e krijimit është rrugë parajse e ferri njëkohësisht

Prishtinë, 26 mars – Me një rreth të ngushtë njerëzish, poeti, prozatori, skenaristi e akademiku shqiptar, Eqrem Basha, ka shpalosur pjesë të krijimtarisë së tij dhe lidhjet me frëngjishten e frankofoninë, të cilat ka thënë t’i ketë të hershme, e të gjera.

Pas prezantimit që ia ka bërë shkrimtarja, profesoresha e letërsisë, gazetarja e përkthyesja, Nerimane Kamberi, fjalën e ka marrë protagonist i këtij takimi.

Në qendër të interesimeve të tij, akademik Basha ka thënë se ngelen letërsia e dramaturgjia franceze, prandaj edhe i ka sjellë në shqip Sartrin, Kamynë e aktorë të tjerë të rëndësishëm në antologjinë e teatrit frëng të shekullit XX.

Takimi është mbajtur të martën në Qendrën Universitare Frankofone në Fakultetin e Filologjisë në UP, në kuadër të edicionit të 19-të të “Javëve të Frankofonisë”, që ka nisur serinë e aktiviteteve më 5 mars. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe përkthyesi në frëngjisht i veprave të Bashës, Sébastien Gricourt.

Akademik Basha ka thënë se rrugëtimi i tij i gjatë në letërsi e përkthim është bërë në saje të ndihmesës dhe përkrahjes së të gjithë atyre që kanë vlerësuar aventurën e tij, rropatjet e ngazëllimet, aktet e krijimit dhe interpretimit, dhembjet e shembjet e rrugëtimeve të mundimshme.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")