Rrugëtimi nga Lufta e Dytë Botërore deri te lufta e fundit e Kosovës dhe shpallja e Pavarësisë janë rrëfyer nëpërmjet 15 panove të ekspozuara në ambientet e Lapidariumit të Muzeut Kombëtar. Në mesin e tyre ka faksimile dokumentesh, vendimesh e gazetash sikurse dhe fotografi
Në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar është hapur ekspozita me dokumente arkivore e titulluar “Kosova pas Luftës së Dytë Botërore në dokumentet arkivore”, në të cilën janë prezantuar 15 pano që bashkojnë fotografi, vendime, urdhëresa nga ushtria, deklarata, telegrame, faksimile gazetash e programe politike, që pasqyrojnë ngjarje e personazhe të ndryshme që nga viti 1945 deri në datën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për nder të së cilës është hapur edhe ekspozita.
Bekim Aliu, autor i ekspozitës, ka folur për simbolikën e numrit të panove të prezantuara. Ato shpalosin 15 kapituj historie.
“Ekspozita është e realizuar në 15 pano për nder të 15-vjetorit (të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës v.j.) dhe kemi filluar me shuarjen e kryengritjes së Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Adem Vocës dhe bashkëluftëtarëve të tyre”, ka thënë Aliu.
Faksimilet e urdhëresave të ekspozuara mbajnë datat 13 dhe 27 shkurt 1945, e me të cilat urdhërohet dërgimi i 2000 ushtarëve shtesë në zonën e Drenicës me detyrat për të shtypur kryengritjen e Shaban Polluzhës.
“Detyrë e forcave tona është që me energji të shkatërrojnë bandat shqiptare, të cilat po fshihen në male dhe në fshatra”, thuhet ndër të tjera në njërën nga urdhëresat.
Shaban Polluzha ishte ushtarak në Luftën e Dytë Botërore, i cili gjatë rrugës së tij për në Srem të Serbisë, për të luftuar forcat naziste, mori vendimin për t’u kthyer dhe mbrojtur Drenicën, banorët e së cilës po vriteshin e masakroheshin nga serbët nën akuzat për bashkëpunim me nazi-fashistët.
Shaban Polluzha u vra nga forcat partizane më 21 shkurt të vitit 1945.
Më 3 qershor 1993, Sali Berisha, atëkohë president i Shqipërisë, dekoroi me post mortem Shaban Polluzhën me “Urdhrin për veprimtari patriotike të klasit të parë”.
Në këtë ekspozitë u shfaqën edhe faksimile të numrit të parë të revistës “Drita e Lirisë” e botuar në Pejë, në janar 1946. Kjo revistë përmbante vetëm gjashtë faqe dhe në kopertinë kishte flamurin kombëtar të vizatuar.
{gallery}
Në parathënie të revistës “Drita e Lirisë” data e botimit është e shtypur si “KALNUER 1946” dhe vërehet versioni verior i të folurës, pasi gjuha shqipe do të standardizohej në vitin 1972.
“Këtë revistë të vogel e kemi prej nji grupi të vogël atdhetarshë të rijë të cilët duan të ju a tregojnë popullit të vet Shqiptar që mos të gënjehen nga gnjeshtartë, ashtu të qujtun ‘parti komuniste’, e cila munohet t’a baj popullin që t’a vrasi vllau Shqiptari Shqiptarin e jo kurrë Serbi Serbin. Ky asht pra qëllimi për ket revisten tonë, e cila do të del dy herë në muj”, shkruan mes tjerash në parathënien e revistës.
Në ekspozitë është prezantuar edhe Programi i Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve, i përpiluar nga Adem Demaçi, e që është marrë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
Programi kërkon që të plotësohen katër kushte për, siç thuhet në të, që “të mund ta quajmë vetveten komb”.
“Me qenë të bashkuar teritorialisht; me pasë një treg të përbashkët ekonomik; me pasë një gjuhë të përbashkët letrare; me qenë i përshkuar nga ndjenjat e dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazëror”, janë kushtet të cilat Lëvizja Revolucionare e Bashkimit theksonte që duhej t’i përmbushin shqiptarët.
Këto kushte nuk u janë drejtuar autoriteteve jugosllave, meqë lëvizja ishte ilegale. E për aktivitete që lidheshin me to, Adem Demaçi i privua nga liria për dhjetë vjet, nga 1964-a deri në 1974-n.
Në ekspozitë bashkë me programin gjendet edhe aktgjykimi ndaj Demaçit dhe grupit të tij.
Krahas materialeve të tjera janë edhe fotografi nga protestat e 1968-s, nëpërmjet të cilave është kërkuar e drejta për përdorimin e flamurit kombëtar. Në mesin e kërkesave ishte edhe ajo për “Kosovën Republikë”, e edhe parulla “Populli është deklaruar për vetëvendosje”.
Janë shfaqur edhe fotografi të Gazetës Zyrtare të Jugosllavisë, përkatësisht të numrit në të cilën është botuar Kushtetuta e vitit 1974, me të cilën Kosova pati fituar avancim të drejtash në kuadër të Jugosllavisë.
Të tjera pano përfshijnë fotografi nga demonstratat e vitit 1981 nëpërmjet të cilave kërkohej që Kosova të njihet si Republikë në kuadër të Jugosllavisë, e edhe fotografi nga procesi gjyqësor i Ukshin Hotit, Mentor Kaçit, Ekrem Kryeziut dhe Halil Alidemës, të cilët shihen tek qëndrojnë kokëlart në një nga seancat gjyqësore tek përballeshin me akuzën për organizim të protestave.
Ekspozita dokumenton edhe grevën e minatorëve të “Trepçës” përmes fotografive, titujve të gazetave dhe telegrameve, që në shenjë përkrahjeje iu dërgoheshin grevistëve.
“Në zgafella deri të përmbushen kërkesat”, është njeri nga titujt e gazetës “Rilindja” për minatorët e Kishnicës dhe të Novobërdës, të cilët ishin futur në grevë për t’u solidarizuar me kolegët e tyre në Stantërg.
Është ekspozuar edhe kopja e Deklaratës se Kushtetutës së Kaçanikut, e nënshkruar nga delegatët e edhe procesverbali i mbledhjes që i parapriu deklaratës. Po kështu, edhe titujt e “Rilindjes”: “Kosova u shpall subjekt i pavarur dhe i barabartë në Jugosllavi” dhe “Dy Korriku për histori”, të datës 3 korrik 1990.
Ekspozita përmban edhe fotografi të pjesëtarëve të UÇK-së, të shkrepura nga fotografi norvegjez Pal Refsdal. Në to shihen pjesëtarë të kësaj ushtrie, tek stërvitin e edhe luftonin. Po kështu, në fotografi janë edhe refugjatë që lëshonin Kosovën.
E, bashkë me flamurin e Kosovës janë ekspozuar edhe fotografi të vendimit të presidentit Fatmir Sejdiu për emërimin e Komisionit për të hartuar projekt-kushtetutën e shtetit të Kosovës dhe Komisionin për simbolet shtetërore. Këto vendime janë të datës 24 maj 2007 dhe 28 maj 2007.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur vetëm dy ditë dhe është organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.