Kulturë

Kalaja e Novobërdës ku u investuan mbi një milion euro paraqet rrezik

Kalaja e Novobërdës ku u investuan mbi një milion euro paraqet rrezik

Novobërdë, 12 mars – Ajo që njihet si pjesa e epërme e qytetit, në Kalanë e Novobërdës është kthyer në zonë të rrezikshme për qytetarët. Kjo ndodh pa u bërë tre vjet prejse aty u investuan 1 milion e 100 mijë euro. Tabela që ndalon ngjitjen lart tek strukturat që janë restauruar e konservuar bën me dije se bëhet fjalë për zonë të rrezikshme.

Dëshmi për këtë është edhe rënia e një pjese të fasadës në anën lindore të strukturave të Kalasë, që mund të evidentohet edhe nga ata që nuk mund ta kalojnë shiritin e rrezikshmërisë. Fasada – në këtë rast me gurë – ka rënë në dy sipërfaqe muresh edhe në anën perëndimore të monumentit që daton nga shekulli XIII. Brenda strukturave, një dëmtim i ngjashëm është vetëm në murin afër portës kryesore. Kurse gurët që ndërtojnë harkun tek porta, janë plasaritur.