Templarius

Templarius

16 February 2019 16:00

Për një kohë të gjatë kemi menduar se Mesjetën e kemi kaluar dhe tash s’u zëmë besë syve kur e shohim se si ajo zgërdhihet para nesh. “E, kujt ia merrte mendja se shekulli 20 do të pasohej nga shekulli 11?”, pyet me të drejtë izraeliti Amos Oz, në një ese ku flet për ekstremizmin fetar që mori hov në shekullin 21, në vitin e parë të të cilit dha goditjen e madhe që rezultoi me rrëzimin e Kullave Binjake në New York, duke paralajmëruar atë që, paradoksalisht, shfaqet si kryqëzatë islame, falë së cilës, nëpërmjet videove morbide të shfaqura në televizione dhe kanale interneti, u bënë të famshëm disa templarë myslimanë, mes të cilëve edhe një bashkëvendës imi, Lavdrim Muhaxheri, i cilësuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si terrorist global, shkruan sot Koha Ditore.

Ky templar mysliman, para se të bëhej pjesë e kryqëzatës islame, ku u dallua si udhëheqës i organizatës terroriste ISIS dhe si rekrutues i xhihadistëve shqiptarë në Irak dhe Siri, vinte shpesh në shtëpinë time, në raftet e së cilës rrinin libra të ndryshëm, përfshirë edhe “Lavdërim Marrëzisë”. I famshmi terrorist L. M., para se të bëhej xhihadist dhe të njihej me nom de guerre Abu Abdullah al Kosova, vinte tek ne, sepse vëllain tim të vogël, Alfredin, e kishte shok klase. Deri dje gjyshja ime e konsideronte djalë për së mbari.

Edhe sot nëna ime e kujton si djalë të ndrojtur, që duhej ta lusje për t’u ulur në sofër. Ngjashëm e kujton edhe vëllai im, Beni, i cili mund t’u ketë bërtitur ndonjëherë kur do t’ia kenë ngritur volumin këngëve hip-hop, që i dëgjonin me vëllain tim të vogël. Ndërsa unë e kujtoj si një nga shokët e vëllait që vinin në shtëpinë tonë, që rrinin në studion e improvizuar të Çokit (nofka e vëllait tim të vogël), që dëgjonin muzikë rep dhe diskutonin për reperë si Biggie, Tupac, Eminem, 50 Cent, Busta Rhymes, Snoop Dog etj., por që nuk kishin të drejtë të hynin në dhomën e librave dhe, natyrisht, s’kishin të drejtë t’i preknin librat e mi. /Ag Apolloni (shkrimin e plotë e gjeni në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme