12-vjeçari Blend Zogaj, krahas mësimit dhe angazhimeve në shkollë, kohën e lirë e kalon duke krijuar punime në miniaturë. Për këto punime ai përdor edhe materiale të ricikluara.
Për të realizuar një punim të tillë, Blendit i duhet përkushtim i madh deri në detajet më të vogla në mënyrë që të përçojnë ndjesinë e vërtetë të shtëpisë.
“Jam nxënës në klasën e tretë në shkollën ‘International Maarif Schools of Kosova’, aty jam prej moshës 10-vjeçare, inspirimin e kam marrë prej një klubi të punës së dorës që e kemi pasur, pastaj në shtëpi kam vazhduar t’i bëjë ato punim dhe kështu kam arritur deri këtu”, ka treguar nxënësi Blend Zogaj.
Së fundmi ka krijuar një fshat të tërë në miniaturë.
“E kam punuar lagjen prej stiroporit dhe prej disa materialeve të tjera të drurit. Nuk është një kohë e caktuar se sa ma marrin këto punime, por varet sa kohë të lirë kam nga mësimet, pasi që mësimet ma marrin shumicën e kohës dhe vetëm kohën e lirë e shfrytëzoj për t’u marrë me punime”, është shprehur tutje Blendi.
Dëshira për të shkuar në Paris e ka bërë që të realizojë kullën e Eiffelit. Punimit të këtij monumenti ia ka shtuar edhe efektin e ndriqimit.
“Në disa punime kam vendosur edhe drita pasi që me to dukeshin më bukur kështu që kam vendosur që shumicën e punimeve që i bëj të jenë me drita”, ka shtuar tutje Blendi.
“Mua më ka ardhur ideja që ta punoj kullën e Eiffelit, pasi që gjithmonë kam pasur deshirë që të shkoj në Paris dhe thashë sa harxhoj para për të shkuar atje, e ndërtoj dhe e kam në shtëpi gjithmonë”, ka treguar ai.
Por përveç monumentit më të vizituar në Francë, ai është inspiruar edhe nga vendlindja për të krijuar shtëpi tradicionale nga guri.
“Këto shtëpi janë të realizuara nga stiropori edhe gurët, mua këto shtëpi më bëjnë të ndihem sikur jam duke e përjetuar kohën e mëparshme, kur i punoj këto punime të gjitha shqetësimet dhe brengat më largohen”, është shprehur tutje ai.
Blendi Zogaj thotë se do të vazhdojë të eksperimentojë me materiale e forma të reja, në mënyrë që të krijojë sa më shumë punime në miniaturë.