Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

1.770 sekonda për fuqizimin e zërave që duhen dëgjuar

Gra e vajza kanë pushtuar zemrën e Prishtinës me historitë e tyre, që kur bëhen bashkë, janë zëri që duhet dëgjuar. Me titullin simbolik “17’ 70” në 1.770 sekonda shpaloset solidarizimin mes 17 dhe 70- vjeçareve të Kosovës. Në fakt, dallimi në moshë është krejt periferik. Aty përthekohet thirrja për thyerje paragjykimesh, për vëmendje nga shoqëria a për trajtim të barabartë. Janë histori inspiruese

Të drejtat e barabarta, paragjykimet, dëshirat e fëmijërisë dhe ambiciet, janë disa prej kryetemave të performancës prekëse dhe të fuqishme që erdhi në sheshin “Zahir Pajaziti”. Në një mijë e 770 sekonda shpaloset solidarizimi mes 17 dhe 70-vjeçareve të Kosovës. Një performancë, e cila sfidon normat shoqërore duke thyer barrierat me qëllim që vajzat dhe gratë në Kosovë të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Të mos kenë frikë nga paragjykimet, a të jenë gjithmonë vetvetja dhe të luftojnë për atë që duan.

Në themel të çështjeve të të drejtave të grave janë pabarazia gjinore, normat shoqërore, besimet dhe vlerat ku ato shihen dhe trajtohen si inferiore. Dimensione të ndryshme të historive të tyre inspiruese u paraqitën përmes një audioje të shoqëruar me aktrim para qytetarëve të Prishtinës, të mërkurën pasdite në kuadër të edicionit të shtatë të festivalit të artit në hapësirë publike, “HAPU” që në dy vjetët e fundit u tranfromua në “Hapudemia” për shkak të pandemisë.

“17’ 70”, si titull simbolik që në emërtim “përkthen” kuptimësi të shumëfishta. Shkrirja e moshës, është vetëm njëra prej tyre.

Zërat kumbues që u fuqizuan për t’u dëgjuar, tërhoqën vëmendjen e kalimtarëve të rastit në zemër të Prishtinës. Amfiteatri i kryeqytetit u mbush me gra dhe vajza të reja, të cilat të përlotura po ndiqnin këtë performancë novatore. Histori prekëse, qesharake dhe inspiruese u shpalosën gjatë performancës duke lënë publikun gojëhapur. Përplasja midis moshave të tyre arriti t'u përgjigjej shumë pyetjeve, të çojë në diskutime dhe të krijojë perspektiva të reja për të dy palët. Në një formë qe edhe thirrje për të gjitha që po ndiqnin këtë performancë, të dëgjojnë dhe mësojnë nga historitë dhe këshillat e protagonisteve.

“Si një grua, e cila ka punuar për 45 vjet e tani është në pension, pjesëmarrja në një aktivitet të tillë ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe inspiruese. Aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme, sidomos për gra të moshës sime”, ka thënë Vahide Krasniqi-Hasani, protagoniste e performancës “17’70”.

Edhe Ecja auditive nëpër Prishtinë me rrëfimet e heroinave Kulturë Ecja auditive nëpër Prishtinë me rrëfimet e heroinave
Image
Atifete Karakashi me koleget e saj pjesëmarrëse në “17’70”

Ajo u ka bërë thirrje grave dhe vajzave të jenë më aktive dhe të angazhohen më shumë në aktivitete të ndryshme, sepse, sipas saj, ato kanë forcë. “Dimë dhe duhet t’ia dalim”, ka thënë prerazi ajo.

Lidhja emocionale mes gjeneratave të ndryshme është diçka shumë e rëndësishme dhe një nga qëllimet kryesore të performancës “17’70”, që erdhi një javë pas “Topit (riciklues)” të artistit gjerman, Holger Maik Mertin, që u rrokullis në njërën prej rrugëve kryesore të Prishtinës, duke lënë gjurmë si thirrje për veprim në mbrojtje të ambientit.

Edhe pse me një dallim të madh në moshë, këto gra e vajza arritën të gjejnë një gjuhë të përbashkët, duke ndarë sfidat të cilat përjetuan dhe vazhdojnë të përjetojnë në jetët e tyre të përditshme.

“Ky ka qenë një intervenim aktivist, për të përçuar një mesazh për pozitën shoqërore që e kanë dy skajet e shoqërisë të gjinisë femërore. Pra, në këtë rast, po flasim për gratë pasi përfundojnë jetën e tyre profesionale dhe gratë që janë duke u përgatitur për të hyrë në jetën profesionale apo shoqërore. Duke qenë se shërbimet publike - pra ajo çka bën shoqëria është jo e kënaqshme dhe këto gra lihen ne mëshirë të fatit dhe të fateve individuale të përkujdesjeve familjare – ne kemi vendosur t’u japim një hapësirë”, ka thënë Florent Mehmeti, themelues dhe drejtor i teatrit “ODA”, e po ashtu edhe i festivalit “HAPU”. Sipas tij, performanca “17’70” është pjesë e një projekti më të madh dhe “HAPU” synon të japë rekomandime që çështje si këto të trajtohen institucionalisht.

{gallery}

Por, performanca nuk është i vetmi rrugëtim i rrëfimeve. Ato do të konceptohen edhe në formën e audio-ecjeve, ku qytetarët do të kenë rastin t’i i dëgjojnë në çfarëdo kohe.

Pas përfundimit të performancës, protagonistet u nisën për në teatrin “ODA” ku u mbajt një debat i shkurtër rreth rëndësisë së kësaj performance dhe përvojat e atyre që ishin pjesë e projektit.

Eli Gashi, një vajzë e re, protagoniste e performancës “17’70” ka treguar për ndikimin që kanë këto performanca dhe rëndësinë e përçimit të mesazheve të tilla.

Edhe “Art without limit” me 50 filma për shpresën e fuqinë Kulturë “Art without limit” me 50 filma për shpresën e fuqinë

“Mua më interesonte të informohesha më shumë rreth jetës se grave pensioniste në Kosovë dhe se për çfarë kanë nevojë ato. Nga kjo performancë dola me shumë shoqe të reja dhe e kam vërejtur që shpirti i tyre është shumë më i ri se shumë prej neve vajzave të reja që na ka humbur motivi, inspirimi dhe stimulimi këtu në Kosovë. Duke marrë parasysh se këto gra tanë jetën e tyre e kanë kaluar në Kosovë edhe prapë e kanë atë dëshirën të bëjnë diçka, qoftë edhe punë vullnetare vetëm me u përfshi, me qenë bashkë me neve, është diçka shumë inspiruese. Po shpresoj që ata që kanë qenë këtu sot, mendojnë për rëndësinë e kësaj performance, sepse shpeshherë ne i harrojmë gjyshet tona, e mos të flasim për gratë tjera në komunitet. Shpresoj se zëri i tyre tash ka me u dëgju”, ka thënë Gashi.

Rrëfimi i historive të këtyre grave do të jetë i gdhendur në zemrat dhe mendjet e të gjithë shikuesve që patën rastin ta ndjekin atë në amfiteatrin e kryeqytetit. Një përvojë inspiruese, befasuese dhe shumë e guximshme me mesazhe dhe këshilla të rëndësishme se gratë duan, munden dhe gjithmonë do t’ia dalin.