Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ecja auditive nëpër Prishtinë me rrëfimet e heroinave

Pas performancës “1770”, e cila i dha zë fuqisë së grave përmes vallëzimeve e copëzave jetësore të 17 dhe 70-vjeçareve – e organizuar në fundshtator në kuadër të “Hapudemisë”– tanimë radha ishte për ecjen auditive mesditën e së mërkurës. Pikënisje e tyre u bë memoriali “Heroinat”, si simbolikë e sakrificës së gjinisë femërore dhe heroizmit të tyre për kontribute të shumëfishta në shoqëri. Ato rrëfejnë

Qëllimet e lëna përgjysmë, sakrifica për hir të dikujt, revolta ndaj neglizhencës institucionale, dashuria dhe ëndrrat që do të realizohen mund të mbështillen me petkun e rrëfimeve. Të gjitha së bashku i ngjajnë një rrugëtimi që sa më shumë që ecet nëpër to, piqet emocionalisht. Çdo grimcë historie është një tjetër dimension që e kompleton portretin jetësor të grave 70-vjeçare.

Pas performancës “1770”, e cila i dha zë fuqisë së grave përmes vallëzimeve e copëzave jetësore të 17 dhe 70-vjeçareve – e organizuar në fundshtator në kuadër të festivalit të artit në hapësira publike, “Hapudemia” – tanimë radha ishte për ecjen auditive mesditën e së mërkurës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Po të njëjtat gra, të cilat pranuan të shpalosnin rrëfimet e tyre, u bënë bashkë për të shijuar një trasim të ri emocional. Pikënisje e tyre u bë memoriali “Heroinat”, si simbolikë e sakrificës së gjinisë femërore dhe heroizmit të tyre për kontribute të shumëfishta në shoqëri.

Përmes lidhjes me pajisje teknologjike, ecja synonte ndërthurrjen e narratoreve me lokacione, duke u ndërlidhur me vetë jetën e tyre. Me kufje në vesh ato nisën rrugën drejt sheshit “Zahir Pajaziti”, si vendi ku kishin realizuar në shtator performancën, e cila ishte pëlqyer e komentuar tejet nga komuniteti në rrjete sociale. Dalëngadalë bën hapa drejt sheshit “Nënë Tereza”, teksa dëgjonin histori të ndara në pesë pjesë.

“Dëshirat e moçme”, “Shumë për të dhënë”, “Let’s dance”, “Jeta dhe dashuria” dhe “Ëndrrat” ishin rrumbullakimet e jetëve të tyre. Dikush nga to kishte folur për pengun më të madh të jetës, shkollimin, mënyrën se si ishin dashur me bashkëshortin dhe thirrjet e tyre për ndryshim të qasjes nga institucionet.

“Kam qenë nxënëse e Shkollës Teknike me motrën që ishim binjake. M’u imponua se unë dojsha me shku në gjimnaz po baba s’na lejke me u nda”, dëgjohej një zë gruaje.

“Njersën tonë që tash po e shfrytëzojnë këta, për neve s’po mendon kurrkush”, ishte një tjetër thirrje, por që vazhdonte me këmbëngulësinë se pavarësisht moshës ende s’ndalet së kontribuuari në çfarëdo që mundet.

“Nuk kam guxu atëherë me qit karminin e kuq. Nëna nuk më ka leju kurrë, thojke herët është për ngjyrë të kuqe. Tash jam më e disponuar me atë ngjyrë”, kujtonte tjetra kohën si 17-vjeçare.

Të gjitha këto i dëgjonte Sevdije Hoxha, njëra nga pjesëmarrëset e projektit, e cila për KOHËN tregoi se cilin rrëfim ishte duke e dëgjuar në kohën e intervistës.

“Për momentin është kontributi që jepet. Është një motër medicinale që ka dhënë vullnetarisht kontribut të madh për shoqërinë, përkundër asaj nuk ka përkrahje sot”, u shpreh Hoxha. “Duhet të sensibilizohet sa më shumë opinioni dhe sa më shumë me i mbështetë këto gra të moshuara”.

Ndërkaq rrëfimi i saj personal, të cilin e kishte ndarë për publikun e gjerë, kishte qenë pamundësia e studimit të drejtimit të cilin e ka dashur ajo.

“Rrëfimi im personal ka qenë kur në moshën 17-vjeçare ti vendos me zgjedhë një profesion dhe dëgjon hatrin e të tjerëve, e më së pakti tëndin. Baba jem më ka thënë: ‘Po të ishe djalë kisha dashtë me kry Fakultetin e Teknologjisë’. Për hatër të babës kam shkua në Mitrovicë, kam studiu dhe e kam kry fakultetin”, rrëfen Hoxha, e cila shton se dëshira e saj ishin artet. “Mesazhi është që gjeneratat e reja me ba atë çka dëshirojnë vetë, atë që ju fle për shpirti”.

“Ai ka qenë nga një fshat afër Fushë-Kosovës, po aq mu ka dok vendi më i bukur në botë, saqë mandej i kam thënë Bellaçevc”, ishte njëra nga rrëfimet për dashurinë që ndien ndaj burrit nga fshati Bardhosh.

“E kam zhig që s’kam mujt me u ba autostopere. Me burrin ëndërr e kemi pasë, ra lufta e shkuan punët më ndryshe. Edhe s’kam mujt kurrë me hyp në ballona. Kam thënë ishalla veç s’vdes pa hyp edhe nëse më lëshon zemra me vdek atje lart”, ishte një rrëfim tjetër te pjesa e ëndrrave.

E se ky projekt ka përmbledhur në një vend shumë ëndrra, e thotë organizatori Florent Mehmeti.

“Ecja auditive mund të shijohet pafundësisht, pa kohë. I lejon publikut që në kohën e tyre të lirë ta shijojnë një punë artistike siç është me projektin ‘1770’, ka thënë ai. “Fillimisht ecja fillon nga obelisku ‘Heroinat’ e që në mënyrë simbolike gratë janë heroinat e shoqërisë sonë, meqenëse kanë kontribuar shumë në jetën shoqërore e duke u mos u njohur kontributi domosdo janë heroina”, ka treguar ai arsyen e nisjes së ecjes pikërisht nga ky lokacion.

Image

“Disa prej tyre jetojnë këtu dhe janë të lidhura me rrëfimet që tregojnë për të kaluarën e tyre”, ka thënë ai për sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Pastaj ecja nëpër sheshin ‘Nënë Tereza’ për të arritur te sheshi ‘Ibrahim Rugova’ që të gjitha pakënaqësitë por edhe festat ndodhin aty”, ka përshkruar regjisori Mehmeti, themelues dhe drejtor i teatrit “ODA”, e po ashtu edhe i festivalit “HAPU”, që me pandeminë u bë “Hapudemi”.

Tutje ka shtuar se pikërisht në destinacionin final edhe i kanë lënë rrëfimet e pjesës “Ëndrrat” si shenjë për ato që s’janë realizuar.

“Lidhen edhe me sheshin kryesor ku është pranë Qeverisë. Është edhe thirrje për ta që të bëhet më shumë për këto grupmosha”, ka thënë Mehmeti.

Thirrje për institucionet ka edhe Mevlyde Ajeti, pjesëmarrja e ecjes auditive, e cila erdhi për ta shoqëruar njërën nga miket e saj.

“Mendoj që gjenerata jonë që aq shumë ka dhënë për lirinë e Kosovës, me angazhime, demonstrata, rreziqe dhe janë lënë anash”, ka thënë Ajeti.

Problemi më i madh për personat e pensionuar, sipas saj, qëndron te çështja e mosnjohjes së diplomave për gjeneratat të cilat kanë diplomuar pas viteve ‘90.

“Shqetësimi im më i madh është mospranimi i diplomave të njerëzve për pensione, ka shumë njerëz që nuk e dinë se pas viteve ‘90 nuk njihet diploma. Kështu dëmtohen pensionerët, sepse paguhen (marrin pension) si ata që janë me shkollë të mesme. Ligji asisoj e ka paraparë, nuk ka menduar që fakulteti është mbyllur pa dëshirën e njerëzve”, përfundoi ajo, teksa ka shtuar se erdhi në ngjarje për t’i mbështetur për këtë nismë.

Në anën tjetër, organizatorët e festivalit “Hapudemia” kanë nxjerrë përfundimet pas performancës së shtatorit “1770” dhe kanë dërguar rekomandime në Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunën e Prishtinës.

Në rekomandime specifikohen disa pika, të cilat përfshijnë aktivizimin e dy grupmoshave, 70 dhe 17-vjeçareve. Thirrjet publike si mjet aktivizimi i grupmoshave në organizimin e aktiviteteve, ofrimi i këshillimit profesional për orientim në edukim për maturantet, ndërtimi apo adaptimi i ndonjë hapësire ekzistuese si qendër pikëtakimi për gratë pensioniste, si dhe qendër e resurseve për nevojat e grave pensioniste duke siguruar aktivitetin e qendrës edhe përmes grave vullnetare janë vetëm disa nga pikat. Mirëpo, për rekomandimet e dorëzuara nuk kanë marrë asnjë reagim.