Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vukotiq edhe në rigjykim dënohet me 10 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Është dënuar me 10 vite burgim i akuzuari për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, Zoran Vukotiq.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Sipas këtij aktgjykimi, në dënimin e shqiptuar me burgim të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 13 shtatori 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtine më 5 korrik 2021, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Vukotiq, ku ai ishte dënuar me 10 vite burgim.

Kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit kishte parashtruar ankesë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), duke kërkuar që ndaj tij të ashpërsohet dënimi.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Vukotiqit, avokati Nebojsha Vlajiq, me ankesë kishte propozuar që aktgjykimin dënues të shkallës së parë ta ndryshojë për shkak të të gjitha bazave ankimore dhe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Edhe Supremja vërteton dënimin ndaj Vukotiqit me 13 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës Arbëri Supremja vërteton dënimin ndaj Vukotiqit me 13 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës

Ankesë kundër këtij aktgjykimi kishte parashtruar edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Shpresa Berisha, lidhur me vendimin mbi dënimin, duke pretenduar se janë plotësuar të gjitha kushtet që të lartpërmendurit t’i caktohet një dënim më i lartë.

Vukotiq akuzohej se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore.

Sipas prokurorisë, Vukotiq ka kryer dhunim seksual si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.