Kronikë

Kapet i dyshuari për vrasjen në Prizren

Vrasje-Polici

Foto: Ilustrim

Përditësim, 8:40 - Është kapur i dyshuari për vrasjen e mbrëmshme në Zhur të Prizrenit. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka njoftuar për KOHËN se është gjetur edhe thika me të cilën dyshohet se u krye vrasja. 

I dyshuari është ndaluar për 48 orë. 

“Pas një angazhimi profesional i dyshuari E.B., mashkull 35 vjeçar nga fshati Zhur i Prizrenit  është lokalizuar dhe është arrestuar, gjatë bastisjes është gjetur edhe thika  që dyshohet se është përdorur në rast. I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, ka njoftuar Bytyqi. 

H.Sh. 34-vjeçar humbi jetën në Prizren si pasojë e plagëve që mori me thikë. Ai ishte dërguar fillimisht për trajtim në emergjencën e Spitalit të Prizrenit e më pas në QKUK në Prishtinë, ku vdiq si pasojë e plagëve. 


 


Prokuroria jep detaje për vrasjen në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ndodhi në këtë qytet të dielën. 
Prokuroria ka njoftuar se një person ishte goditur me thikë në ora 8:30 të dielën në lagjen Tusuz në Prizren dhe si pasojë e plagëve të marra në pjesën e gjoksit, vdiq në QKUK në Prishtinë. 

E për vrasjen është arrestuar i dyshuari E.B., ndërsa në cilësinë e provave janë sekuestruar një thikë, që dyshohet se u përdor për të kryer krimin, dhe një veturë. I dyshuari është ndaluar për 48 orë. 

“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se mbrëmë me datë 10.08.2025, rreth orës 08:30 min, në lagjen Tusuz në rrugën “Lapidari” në Prizren, një person është therur me mjet të mprehtë (thikë). Për shkak të lëndimeve të rënda, i njëjti është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK- në Prishtinë, mirëpo për shkak të plagëve në pjesën e gjoksit, viktima ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitet relevante policore, dhe me urdhër verbal të prokurorit, policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar: Një (1) brisk patente (që dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale); Një (1) veturë e markës “Audi”. I pandehuri E.B., është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. Për të njëjtin, prokuroria brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, ka njoftuar Prokuroria. 
 


Vritet një person në Prizren, arrestohet i dyshuari

Një person në Prizren ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra me thikë. 

Rasti ndodhi të dielën mbrëma në fshatin Zhur. 

Viktima ishte dërguar fillimisht në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, ndërsa nga atje është dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë, ku vdiq si pasojë e plagëve. 

“Sonte, më datë 10.08.2025, rreth orës 21:20, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se një person me lëndime është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, viktima, mashkull, ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”, ka njoftuar Bytyqi. 

Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar dhe po ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore, ka thënë Bytyqi.