Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 08:00, në stacionin policor Veriu në Prishtinë, është paraqitur personi i shpallur i kërkuar për mashtrim.
Bëhet fjalë për të dyshuarin Valton Makolli, 33-vjeçar, për të cilin dyshohet të jetë përfshirë në kryerjen e rasteve të mashtrimeve që po hetohen nga ana e policisë.
“Aktualisht hetuesit po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me prokurorinë përkatëse, lidhur me rastet që dyshohet të jetë i përfshirë i arrestuari”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ndërkohë, mbështetur në rezultatet e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga i dyshuari mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar deri tani.
Deri tani në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, si viktima të mashtrimit nga i dyshuari, janë paraqitur 3 shitës të dyqaneve ,të cilëve i dyshuari përmes mashtrimit ka arrit që t'iu marr nga dyqanet gjësende të ndryshme.