Një 22-vjeçare ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar në një vetaksident trafiku në rrugën Novobërdë-Gjilan, të martën në ora 13:25.
Policia i ka thënë KOHËS se aksidenti ka ndodhur në fshatin Stanishor, ku për shkak të kushteve atmosferike, vetura me targa të Gjilanit, ka humbur kontrollin duke u rrokullisur e dalë jashtë rrugës.
“Sipas hetimeve të para në vendin e ngjarjes, dyshohet se deri te vetaksidenti ka ardhur atëherë kur vetura me tabela 06 ka qenë duke lëvizur në rrugën Novobërdë-Gjilan, në fshatin Stanishor. I njëjti ka qenë në veturë me katër anëtarë të familjes, bashkëshorten dhe tre fëmijë dhe dyshohet për shkak të kushteve atmosferike, i njëjti ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe rrokulliset, duke rënë jashtë rrugës. Me ç’rast, ka humbur jetën viktima F.K.SH., rreth 22-vjeçare. Në vend të ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante, në vendin e ngjarjes mjeku ka konfirmuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.
Viktima është me inicialet F.K., derisa të lënduarit janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjilanit.