Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vali Corleone përfundon në Psikiatri, kërcënoi prindërit

Fenomeni i rrjeteve sociale, Valentino Corleone, ka përfunduar në Institutin e Forenzikës Psikiatrike, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj prindërve të tij, ka njoftuar Gjykata Themelore në Gjilan. Kjo gjykatë të mërkurën ka miratuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh, e të cilën dyshuari do ta mbajë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, me qëllim të ekzaminimit dhe observimit në këtë institut.

Sipas njoftimit të gjykatës, “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me qëllim të frikësimit dhe të ankthit ka përdorur dhunë psiqike ndaj babait të tij”.

Princ Valentino Corleone dyshohet një natë kishte hyrë në dhomën e prindërve të tij duke i kërcënuar me fjalët se “i ki 24 orë me ma liru shpijën se dijë çka të gjen”. Si pasojë e kërcënimit, prindi i tij është detyruar të largohej nga shtëpia.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë në familje.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës, ka caktuar masën e paraburgimit, i njëjti është një recidivist i kryerjes së veprave penale në kuadër të familjes”, thuhet në njoftim.

Vali Corleone është bërë i famshëm në Kosovë për jetën e tij luksoze të cilën e ka shfaqur vazhdimisht në mediat sociale.

Artikuj të ngjashëm