Tre persona janë vrarë me armë zjarri në fshatin Rufc të Lipjanit të premten pasdite, ka mësuar KOHA. Sipas burimeve, tre të vrarët janë anëtarë të së njëjtës familjeje. Dyshohet që kryefamiljari ka vrarë bashkëshorten dhe djalin, e më pas ka qëlluar edhe veten.
E njëjta informatë është konfirmuar disa orë më pas edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. "Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, dyshimet çojnë drejt vrasjes së dy viktimave nga arma e zjarrit, si dhe një vetëvrasjeje (brenda familjes)”, ka njoftuar Prokuroria.
Policia ka konfirmuar se në vend të ngjarjes ka gjetur tre trupat e pajetë.
Sipas njoftimit të Policisë, autoritetet menjëherë kanë nisur hetimet për rastin.
“Rreth orës 16:30 policia ka pranuar informatën për tre persona të pajetë në fshatin Rufc të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku janë hasur tre trupa të pajetë. Vdekja e të cilëve është konstatuar nga ana e ekipit mjekësor. Aktualisht policia ka nisur një hetim për rastin dhe rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në njoftim të Policisë.
Trupat e viktimave janë dërguar për obduksion.
Edhe
Pesë vrasje të raportuara gjatë gushtit në Kosovë, katër nga to vetëm të dielën
Për ngjarjen e rëndë, ngushëllime ka shprehur kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se “tronditje të thella lënë boshllëk në zemrat e secilit prej nesh”.