Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 8 muaj burgim Nikola Nedelkoviqin për akuzën se ka nxitur publikisht urrejtje ndërmjet kombësive shqiptare dhe serbe.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Nedelkoviq u shpall të martën, nga gjyqtari Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë dënim, të akuzuarit Nedelkoviq do t’i llogaritet edhe koha e mbajtur në paraburgim nga 28 qershori i këtij viti.
Të akuzuarit, gjithashtu i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Gjithashtu, si dënim plotësues i është shqiptuar dëbimi nga territori i Republikës së Kosovës, pas vuajtjes së dënimit.
Po ashtu, obligohet që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 50 euro për paushallin gjyqësor dhe shumën prej 30 euro për fondin e viktimave të krimit.
Edhe
Dëbim nga Kosova e nga 700 euro gjobë për serbët e arrestuar gjatë Vidovdanit
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 qershor 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nikola Nedelkoviqit, me arsyetimin se më 28 qershor 2022 në Prishtinë, në fshatin Bërnicë e Poshtme, derisa ishte duke u mbajtur manifestimi për Vidovdanin, “i pandehuri me dashje në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, ka nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet kombësive shqiptare dhe serbe”.
Sipas aktakuzës, ai kishte mbajtur flamuj me mbishkrime në gjuhën serbe “nuk dorëzohemi” dhe më pas ka bërë fotografi dhe ka bërë thirrje në gjuhën serbe “Vrite, vrite shqiptarin” dhe “Kosova është Serbi”.
Me këtë, Nedelkoviq akuzohej se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. /BetimipërDrejtësi