Një 40-vjeçar është plagosur në Mitrovicën e jugut të shtunën. Personi i cili e ka plagosur është arrestuar nga policia.
Rreth orës 11:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, ku ka hasur në të plagosurin, i cili është dërguar në QKUK.
“Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit, është plagosur viktima mashkull i moshës 40 vjeçar, i cili me urgjencë është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas është dërguar në QKUK- Prishtinë”, i tha KOHËS zëdhënësi i PK-së për atë rajon, Avni Zahiti.
Nga ekzaminimet e kryera në vendin e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur një gëzhojë, një predhë të plumbit, dhe një armë e llojit pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari.
Të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Rrjedha hetimore është duke vazhduar drejt zbardhjes së të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.