Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit ka njoftuar se ka arrestuar tre të dyshuar, të cilët të veshur në uniformë ushtarake kishin kanosur dy kalimtarë, një burrë dhe një grua, në rrugën Pouskë–Prizren.
Policia ka njoftuar se të hënën të dyshuarit janë arrestuar në fshatin Pouskë dhe se atyre u janë konfiskuar 6 armë dhe municione.
“Më datë 16.01.2023 në ora 00:10, dy viktimat raportojnë se me date 15.01.2023 , rreth orës 23:10 ishin kanosur me armë derisa ishin duke lëvizur se bashku me veturën e tyre. Ata ishin kanosur në rrugën e fshatit Pouskë–Prizren. Sipas deklaratës së të dëmtuarve, atyre u kishin dal para tre persona të dyshuar, të veshur me uniforma ushtarake, të armatosur dhe nuk kishin lejuar që të vazhdonin rrugën tutje duke i kthyer pas”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në lidhje me këto informacione të pranuara, hetuesit e Stacionit policor në Prizren kanë filluar hetime preliminare në drejtim të ndriçimit të rrethanave të rastit.
“Pas një pune hetimore intensive në lidhje me rastin në fjale, është arrit të sigurohet informacion i vlefshëm , në drejtim të identifikimit të një prej dyshuarve që dyshohet ka kryer këtë vepër. Fillimisht një i dyshuari është shoqëruar ne stacionin policor Prizren, ku pas ballafaqimit me informacionin dhe dëshmitë e siguruara, ka pranuar që së bashku me dy dyshuarit tjerë e kanë kryer veprën penale”, thuhet në njoftim.
Për këtë thuhet se është informuar prokurori kujdestar, departamenti për krime të renda , i cili ka dhënë urdhër për bastisjen e shtëpive të tre të dyshuarve, me qëllim të gjetjes së dëshmive të tjera , që lidhen me rastin në fjalë.
Edhe
Arrestohen dy të dyshuar për kanosje të dy ushtarëve të KFOR-it në Prizren
“Gjatë këtyre bastisjeve në fshatin Pouskë, janë gjetur dhe sekuestruar municion, rroba kamuflazh (ushtarake), si dhe armët e shënuara si me poshtë: 1 pushkë automatike AK-47, 1 pushkë gjuetie ‘Magnum’ , 1 pistoletë ‘Walter CP 88’, 2 pushkë gjuetie, 1 pistoletë plastike – shkrepëse, ngjyra e zezë, me mbishkrimin ‘DESERT EAGLE’. Pas bastisjeve të kryera dhe dëshmive të gjetura dhe sekuestruara është informuar prokurori kujdestar për krime të renda, ku ndaj tre të dyshuarve ka udhëzuar që të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘Kanosje’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armeve dhe municionit’ dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Deklaratat e të dyshuarve thuhet se janë marrë në prezencën e avokateve të angazhuar nga të dyshuarit. “Prokurori ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e tre të dyshuarve për 48 orë”, thuhet në njoftim.