Policia e Kosovës përmes raportit policor njofton për të shtëna me armë zjarri në Lipjan e në Prishtinë.
Një rast ka ndodhur dje në Lipjan, që siç raporton policia, ka ndodhur në një aheng.
Njësia policore ka shoqëruar në stacionin policor të dyshuarin mashkull K-shqiptar pasi që i njëjti në një aheng familjar ka shtënë në ajër me pistoletë me gaz. Pistoleta me pesë fishekë dhe katër gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti tjetër po ashtu në Lipjan, që siç thotë policia, e ka shoqëruar në stacionin policor të dyshuarin mashkull K-shqiptar pasi që i njëjti dyshohet se në një aheng familjar ka shtënë në ajër me pistoletë me gaz. “Pistoleta e tipit Ekol Special 99, 3-fishekë dhe 3-gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Rasti tjetër ka ndodhur po ashtu dje në Prishtinë, në rrugën “Tirana”. “Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se një predhë e fishekut ka goditur murin e ballkonit të banesës së tij. Njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raport.
Ndërkaq, një rast tjetër në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, policia thotë se ankuesja femër K-Shqiptar ka raportuar se një predhë e fishekut ka goditur xhamin e veturës së saj. Njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin.