(Përditësuar në 17:32) - Policia e Kosovës ka arrestuar një person për të shtëna me armë në afërsi të një shkolle në Klinë të martën në mëngjes.
I arrestuari është nxënës i shkollës, ndërsa ai së bashku me prindin ishte paraqitur në stacion policor. Atij i është sekuestruar pistoleta Zoraki 906-T, një karikator. Ndërsa pas intervistimit është ndaluar për 24 orë. Ndaj tij është iniciuar rast për vrasje e mbetur në tentativë dhe posedim të paautorizuar të armës.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacioni Policor Klinë, me datë 24. 09. 2024, rreth orës 10:40, është njoftuar se në rrugën “ Bill Klinton” në Klinë, ka te shtëna me armë zjarri. Njësitet relevante të Stacionit Policor Klinë, menjëherë kanë dalë ne vendngjarje, aty gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë e armës, gjersa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një kohe te shkurtër i dyshuari se bashku me prindin e tij është paraqitur në Stacionin Policor Klinë. Është sekuestruar arma e cila dyshohet se është përdorur në rast: një (1) Pistoletë Zoraki 906-T nr. serik A34ZR17YS 01- 2302808, një (1) karikator i së njëjtës armë, një (1) gëzhojë. Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të Prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për 24 orë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Të shtëna me armë në afërsi të një shkolle në Klinë
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar të martën në afërsi të një shkolle në Klinë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se i dyshuari fillimisht është larguar, por më pas është arrestuar.
Rasti ka ndodhur në orët e mëngjesit në rrugën “Fehmi Agani”.
“Sot rreth orës 09:40, policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Fehmi Agani” në Klinë, në afërsi të një shkolle. Personi i dyshuar fillimisht është larguar dhe pas pak kohe, policia ka arritur që ta arrestojë. Aktualisht i dyshuari po intervistohet”, ka thënë ai.