Të paktën dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti ndërmjet dy veturave në Korreticë të Epërme afër vendit të quajtur Kroit i Mbretit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha për Kohën se aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:30, ku një veturë e tipit BMW që vinte në drejtim të Prishtinës ka humbur drejtimin dhe ka kaluar barrierat në mes të rrugës, duke kaluar në shiritin e rrugës në drejtim të Pejës ka goditur veturën e tipit Smart.
“Raportohet se deri në këtë fazë janë lënduar dy persona. Zjarrfikësit dhe autoambulanca janë në vend ngjarje. Gjithashtu disa dëme materiale raportohet të jenë shkaktuar nga një automjet tjetër i tipit Polo, i cili në atë lokacion ka goditur autoambulancën nga mbrapa”, ka thënë ai.
Policia e Kosovës në vazhdimësi kërkon nga vozitësit respektimin e rregullave dhe shenjave të trafikut, në veçanti ato të kufizimit të shpejtësisë, dhe se po ndërmerren masa aktive ligjore me qëllim të shmangies së aksidenteve në trafik që shpesh përveç dëmeve materiale, po përfundojnë edhe me pasoja njerëzore.