Kronikë

Supremja kthen në rigjykim çështjen e të dënuarit me burgim të përjetshëm

Prishtinë, 24 qershor – Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më 16 maj 2019, ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit P.N. (bëhet fjalë për Pjetër Nrecaj, i cili vrau gruan Valbona dhe vajzën të mitur - sqarim ynë), dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rivendosje.

Ai ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për shkak të veprës penale vrasje e rëndë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve.

Ndaj të akuzuarit P.N., është vazhduar paraburgimi.

Gjykata Supreme, pasi ka shqyrtuar të gjitha shkresat e kësaj çështjeje juridiko-penale, ka gjetur se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë. Ai akuzohej se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e cila kryhet në rastet kur me dashje kryhen dy apo më shumë vrasje, kurse deklarimi i tij është vetëm përkitazi me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ashtu që i akuzuari pas leximit të aktakuzës dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, kishte deklaruar se: “E pranoj fajësinë për vrasjen e ish gruas time, mirëpo vajzën e kam vrarë aksidentalisht”.

Në rrethana të këtilla, Kolegji i Gjykatës Supreme, gjeti se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje.

Me kthimin e çështjes në rivendosje, sipas Gjykatës Supreme, gjykata e shkallës së parë, në aspektin formal, duhet të nisë nga shqyrtimi fillestar, mirëpo të mos e pranoi fajësinë në rrethana të një deklarimi të ngjashëm nga ana e të akuzuarit në raport me vrasjen e vajzës së tij, por çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor, për të sqaruar rrethanat e vrasjes në aspektin subjektiv-forma e fajit, e pastaj të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike.

Më poshtë mund ta lexoni vendimin e plotë: