Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Stafi shëndetësor në QKUK raporton në polici se është sulmuar fizikisht nga një familjar i një pacienti

Një infermiere dhe një anesteziolog kanë raportuar në Polici të premten se derisa ishin në vendin e tyre të punës janë kanosur dhe sulmuar fizikisht nga një familjar i një pacientë që ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas raportit 24-orësh, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Nuk është raportuar për të lënduar, ndërsa policia ka thënë se po e heton rastin.

Për rastin ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, që ka dënuar sulmin duke e cilësuar akt qyqar.

“Aktet e tilla të ushtrimit të dhunës ndaj punëtorëve shëndetësorë në detyrë në institucionet shëndetësore, janë të papranueshme, të dënueshme dhe të dëmshme, ato e dëmtojnë rëndë imazhin dhe dinjitetin e mjekut dhe infermierit, por e dëmtojnë edhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së që ka kërkuar nga organet e drejtësisë të merren me rastin.