Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sulmohet fizikisht një infermiere në vendin e punës në QKUK

Edhe një infermiere është sulmuar në vendin e saj të punës. Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

SHSKUK-ja thotë se nga drejtoria e Klinikës Infektive është bërë e ditur se mbrëmë nga familjarja e një pacienti, në vendin e punës është sulmuar infermieria Z. M, e angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“ShSKUK dënon ashpër sulmin ndaj infermieres, duke kërkuar sërish nga organet kompetente të ndërmarrin masa urgjente ndaj sulmuesve të punëtorëve shëndetësorë, sulme këto që kohëve të fundit janë shpeshtuar”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se “punëtorët shëndetësorë të SHSKUK-së që nga fillimi i pandemisë janë duke punuar me orar të stërzgjatur, me angazhim maksimal për të ofruar shërbimet e nevojshme ndaj pacientëve”.

Kohëve të fundit ka pasur raste të shpeshta të sulmeve fizike ndaj punëtorëve shëndetësorë në vendin e tyre të punës.