Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Sivjet, 800 ankesa ndaj policëve, 32 u suspenduan e 18 u arrestuan

Në tetë muajt e parë të vitit, rreth 800 ankesa janë bërë ndaj policëve në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ku 300 prej tyre janë hetuar penalisht.

Kushtrim Hodaj, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në IPK, ka thënë se nga këto ankesa, 32 zyrtarë policorë janë suspenduar, kurse 18 janë arrestuar.

Ai ka shtuar se është kërkuar suspendimi edhe i gjashtë punonjësve të Policisë.

“Ne edhe këtë vit, edhe pse ka qenë vit i pandemisë, kemi pranuar numër të njëjtë të ankesave. Kemi pranuar 800 ankesa deri më tani ndaj punonjësve të policisë, ku një pjesë e tyre janë cilësuar si shkelje administrative dhe mbi 300 janë hetuar penalisht nga Inspektorati Policor”, ka thënë Hodaj për EO.

Ai ka sqaruar se janë pranuar disa ankesa sa i përket qasjes selektive të zyrtarëve policorë në raport me qytetarët për respektimin e masave kundër pandemisë.

Këtë problem së fundi e ka ngritur edhe kryeministri Avdullah Hoti.

Edhe Në nëntor u suspenduan 13 zyrtarë policorë, njëri prej tyre edhe u arrestua Arbëri Në nëntor u suspenduan 13 zyrtarë policorë, njëri prej tyre edhe u arrestua

“Ne në kuadër të autorizimeve tona ligjore kemi për mandat monitorimin dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë dhe pas disa shqetësimeve prej qytetarëve dhe grupeve të caktuara, qoftë biznese apo zyrtarë komunalë, kemi hasur që ka pasur shqetësime ndoshta në mënyrën jo të drejtë të zbatimit të masave nga ana e Policisë apo për një qasje selektive në disa raste ndaj disa qytetarëve ose bizneseve”, ka thënë ai.

Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria kanë konstatuar se dy zyrtarët policorë, të përfshirë në përleshje me dy qytetarë në Ferizaj, nuk i kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Më 14 gusht, në orët e mbrëmjes, dy pjesëtarë të Policisë, gjatë inspektimit të zbatimit të masave ndaj COVID-19, në një qendër tregtare në Ferizaj, ishin përleshur me dy qytetarë, të cilët nuk kishin respektuar masat kundër pandemisë. Videoja ku qytetarët sulmonin policët, u bë virale.