Kronikë

Shtyhet për vitin tjetër seanca për vdekjen e 54-vjeçares nga Rahoveci, familjarët shpresojnë në dënim meritor

Për vitin tjetër është shtyrë seanca për rastin e vdekjes së 54-vjeçarës Hatije Dina nga Rahoveci, pasi që njëra nga gjyqtaret në këtë rast nuk ka qenë e pranishme në seancë.

Në seancën e së enjtes ishte paraparë që të dëshmonte një polic hetues i Stacionit policor në Suharekë, por që, siç ka thënë gjyqtarja Ajser Skenderi, për arsye shëndetësore njëra nga anëtaret e trupit gjykues nuk ka qenë e pranishme.

Ilir Haxhiaj nga Komuna e Suharekës, ish-bashkëshort i Hatijes, akuzohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Ai dyshohet se i ka shkaktuar dhunë së ndjerës gjatë majit të 2019-s, që konstatohet edhe me raportet mjekësore.

Por të stërzgjatur e kanë quajtur procesin familjarë të viktimës, e të cilët shpresojnë që drejtësia do të vihet në vend.

“Nga ky proces presim që drejtësia të vihet në vend dhe ta marr dënimin e merituar i akuzuari, unë mendoj që po zgjat pa arsye që familjarët presin që të mbyllet procesi dhe sa më shpejt të dënohet i akuzuari”, tha njëri nga familjarët.

Avokati i familjes së të ndjerës thotë se shpreson që në vitin tjetër ky proces të përmbyllet dhe se i akuzuari të dënohet për veprën penale “Vrasje” e jo për të cilën e akuzon Prokuroria.

“Ditëve të fundit në Kosovë jemi ballafaquar me raste të shumta të dhunës së grave , përpos rastit në Gjilan që e jemi në dijeni siç është dhënë një dënim meritorë bashkëshortit i cili ka shkaktuar lëndime te renda më pas ka vdekur bashkëshortorja këtë rast kemi edhe të njëjtë identik por neglizhenca e policisë prokurorisë e ka bërë që kjo vepër të kualifikohet si një lëndim i rëndë trupor sepse nuk është ashtu”, tha avokati Zahir Hamza.

Në aktakuzën e ngritur gjatë 2019-s nga Prokuroria e Prizrenit thuhet se Haxhiaj në veturë ka qenë vetëm me bashkëshorten e tij Hatije Dina dhe se pas mosmarrëveshjeve që kishin pasur ai e kishte goditur disa herë dhe e kishte përplasur për asfalti të ndjerën, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, nga të cilat dy javë pas trajtimit intensiv kishte ndërruar jetë.