Me 15 vjet burgim është dënuar Ilir Haxhiaj nga Komuna e Suharekës, për dhunën brutale e cila e kishte çuar deri në vdekje bashkëshorten e tij, Hatije Dina.
Ilir Haxhiaj akuzohej nga Prokuroria e Prizrenit për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, derisa edhe raportet mjekësore kanë konstatuar se e ndjera ka vdekur nga po të njëjtat lëndime.
Hatije Dina kishte vdekur më 15 qershor të 2019-s, pas trajtimit dyjavor në QKUK.
Në aktakuzën e ngritur gjatë 2019-ës thuhej se Haxhiaj ka qenë në veturë vetëm me bashkëshorten e tij H.D., dhe se pas mosmarrëveshjeve që kishin pasur, ai e kishte goditur disa herë për asfalti të ndjerën.
Në fjalën e tij përfundimtare të mbajtur të hënën, Haxhiaj kishte deklaruar një ngjarje tërësisht ndryshe.
Sipas tij, ata mosmarrëveshjen e kishin pasur për shkak se e ndjera nuk kishte dashur t’ia bënte bukën dhe se ia kishte ndalur energjinë elektrike.
Ai tutje para trupit gjykues ka deklaruar se në ditën kur ajo kishte marrë lëndimet ishin duke shkuar në Rahovec dhe se e ndjera ishte hedhur vetë nga vetura, e që më pas së bashku ishin kthyer në shtëpinë e tyre në Nepërbisht. Ka thënë se disa orë më vonë e kishte dërguar në spital.
Por edhe pas këtij aktgjykimi avokati i familjes së viktimës po kërkon që të rikualifikohet vepra penale, pasi që, sipas tij, Ilir Haxhiaj ka kryer vrasje e jo lëndim të rëndë trupor. Ai dhe mbrojtja e Haxhiajt kanë paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Për dhunën e vazhdueshme që e ndjera kishte përjetuar ndër vite, në seancat e mbajtura muaj më parë kanë dëshmuar edhe djali i viktimës dhe vëllezërit e saj, të cilët kanë pohuar se viktima Hatije Dina ka përjetuar dhunë të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj ndër vite.