Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Shtyhet gjykimi ndaj deputetit Ramadani, kërkoi kohë të gjejë avokat

Deputeti Valon Ramadani kërkon kohë të gjejë tjetër avokat, shtyhet gjykimi ndaj tij për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Për shkak se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani ka kërkuar kohë për caktimin e një avokati tjetër, ka dështuar sërish të mbahet të martën seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ramadani ka thënë se të premten është njoftuar nga avokati i tij i mëhershëm, Naser Sopjani, që e ka revokuar autorizimin për ta përfaqësuar në këtë çështje, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

“Unë e kom marrë një njoftim prej avokatit të premten, që e ka revokuar, unë kisha kërkuar një avokat, ta gjej një avokat tjetër”, tha Ramadani.

Ramadanit për seancën e sotme i ishte caktuar avokatja Sahadete Gashi, sipas detyrës zyrtare.

Edhe Ramadani akuzon pushtetin për vonesa: Nuk e di a iu ka dalë malli i keq këto ditë Arbëri Ramadani akuzon pushtetin për vonesa: Nuk e di a iu ka dalë malli i keq këto ditë

“E keni caktuar, po unë kom menduar që ai vjen (Sopjani), po nuk është që kam mundur ta kontaktoj shumë ma herët…”, tha ai, duke kërkuar që të shtyhet seanca për të caktuar një tjetër mbrojtës.

Më pas, gjykatësja Anita Krasniqi-Prenaj aprovoi kërkesën e të akuzuarit Ramadani, për shtyrjen e kësaj seance, që i njëjti të ketë mundësi të angazhojë një mbrojtës të ri.

Gjithashtu, edhe seanca e 22 janarit 2024 kishte dështuar, pasi në atë seancë kishte munguar avokati Naser Sopjani.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkon Ramadanin për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim të personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Për këtë rast, më 13 korrik 2021 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mbajtur seanca fillestare në të cilën deputeti Ramadani ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.

Edhe Dështon seanca për gazin lotsjellës në Kuvend, në Gjykatë e pranishme vetëm Haxhiu Arbëri Dështon seanca për gazin lotsjellës në Kuvend, në Gjykatë e pranishme vetëm Haxhiu

Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e 8 shtatorit 2021, kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hedhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Ramadani, me arsyetimin se pretendimet e të njëjtit janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.

Kundër këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Valon Ramadani, avokati Naser Sopjani.